Në një lidhje direkte për një emision televiziv, gazetarja Anila Hoxha, sqaron se avokati është goditur për shkak të detyrës, pasi një nga klientët që ai ka përfaqësuar në një gjyq pronësie të fituar, nuk ka pranuar të respektojë kontratën e pagesës.
Sipas Hoxhës, në rastin konkret ishte rënë dakord që pasi Mëngjesi të fitonte gjyqin ku përfaqësonte 8 anëtarë të familjes Sheqeri, mes tyre edhe Dritan Nano (trashëgimtar nga ana e nënës së tij), do t’i jepej si një tokë ndërtimi.
Pas gjyqit Dritan Nano, i ndaluar tashmë nën dyshimin se ka organizuar sulmin, nuk ka pranuar që të respektojë kontratën në fjalë.
Ndërkohë një nga autorët, i vetëdorëzuari Dorjan Alia i cili është dhëndri i Nanos, ka mohuar se sulmi ka qenë i planifikuar.
Hoxha thotë se pritet që prokuroria të kërkojë arrest me burg për dy personat në fjalë, nën akuzën e vrasjes për shkak të detyrës, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë. E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj tre autorëve të tjerë që janë në kërkim, konkretisht Drivald Alia, kushëri me Dojanin, dhe Romario Tabaku dhe Elton Kasajt, miq të Drivaldit.
“Do të kërkohet arrest me burg për dy persona, Dorjan Alinë dhe Dritan Nanos, i cili ka statusin e të ndaluarit. Ndaj tyre do të rëndojë akuza e vrasjes për shkak të detyrës e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim. E njëjta akuzë do të rëndojë edhe ndaj tre të tjerëve.
Nano është vjehrri i Dorjan Alisë, ky i fundit është kushëriri i parë i Drivald Alisë, i shpallur në kërkrim, dhe dy të tjerët janë miqtë e Drivald Alisë.
Prokuroria më ka konfirmuar se ka sekuestruar një kontratë të 8 anëtarëve të familjes Sheqeri, dhe një kontratë e firmosur nga edhe nga Dritan Nano, që është trashëgimtarë nga ana e nënës.
Mëngjesi i ka përfaqësuar në të dyja shkallët dhe pasi është fituar gjyqi ai ka kërkuar dhe marrjen e përgjegjësive nga palët sipas kontratës, marrja e një sipërfaqe toke të caktuar, që është rënë dakord nga palët që do i jepej avokatit nëse fitohej çështja. Por Nano ka kundërshtuar për dhënien e kësaj prone sipas kontratës.
Dorjan Alia ka deklaruar se nuk ka bërë plan me vjehrrin e tij për këtë sulm, por se e ka parë rastësisht dhe pasi e ka përshëndetur dhe avokati nuk i ka folur, është nervozuar, sipas tij dhe e ka sulmuar. Po ashtu ka mohuar se e ka sulmuar me sende të forta”, deklaroi Anila Hoxha.