Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gentian Mullaj ka dhënë detaje mbi gjendjen e efektivëve të policisë të lënduar, pas protestës së djeshme të opozitës.
Në “Shqipëria Live”, Mullaj tha se një efektiv ndodhet në gjendje të rëndë, me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë si pasojë e bombave molotov të hedhura nga protestuesit. Sipas tij, përplasja eskaloi vetëm përballë Kuvendit, pasi protestuesit sulmuan drejtpërdrejt efektivët. I pyetur nga Flavio Qarri se si ka mundësi që Belind Këlliçi është nën hetim ndërkohë që nuk ishte fare në këtë protestë, Mullaj tha se vijojnë verifikimet për këtë rast.
“Janë dëmtuar 16 efektivë policie që kanë marrë ndihmë mjekësore tek trauma dhe 3 të tjerë, që kanë pësuar djegie. 3 janë ende në spital, teksa 1 prej tyre është në gjendje të rëndë në reanimacion, me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë. Efektivët janë dëmtuar të gjithë nga lëndët piroteknike, disa me djegie dhe disa me asfiksim për shkak të tymi nga këto lëndë.
Në përfundim, policia ka shoqëruar ata protestues që kanë kryer akte të dhunshme, jo qytetarë të cilët nuk kanë marrë pjesë. Verifikimet po kryhen me grupet hetimore. Nuk e kam informacionin për praninë ose jo të Belind Këlliçit. Policia përdor të gjitha mënyrat ligjore për të siguruar rrëndin në këto tubime dhe nuk kemi të infiltruar në turma për të kryer provokime.
Policia u treguar e matur dhe duruar edhe pse efektivët morën flakë para kryeministrisë. Përballja u ashpërsua para Kuvendit, për shkak se policia u sulmua drejtpërdrejt me bomba molotov dhe vetëm në këtë moment u përdor gazi dhe uji. Policia nuk ka tejkaluar forcën ndaj gazetarëve apo turistëve. Sa i përket dhunës ndaj Nallbatit, çështja është nën hetim por nuk rezulton që policia të ketë kryer asnjë veprim tjetër përveç se ndërhyrjes për të kthyer rendin”– tha Mullaj.











