Një grua 35-vjeçare ka ekzekutuar në orët e para të ditës burrin e saj, në mes të tregut të Milotit. Ende mbeten mister rrethanat, por burimet paraprake njoftojnë se të dy burrë e grua, shisnin rroba në treg. Viktima sipas policisë është Kujtim Donaj, 42 vjeç, kurse autorja e dyshuar është Violeta Donaj, 35-vjeçe. Çifti ishte nga Rubiku dhe çdo të dielë vinin tek tregu i Milotit. Dëshmitarët thanë se fillimisht mes tyre ka patur debat, e më pas gruaja ka nxjerrë armën dhe e ka vrarë.
Informacioni i policisë
Me datë 17.06.2018, rreth orës 07:10 , në tregun e Milotit në Kurbin, shtetasja V.D. 35-vjeçe, banuese në Rrëshen, për motive ende të paqarta, ka vrarë me armë zjarri tip pistoletë, bashkëshortin e saj, shtetasin K.D. 42-vjeç, banues në Rrëshen.
Menjëherë pas ngjarjes, shtetasja V.D., ka tentuar të largohet, por ndërhyrja në kohë e forcave policore, ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e saj në flagrancë, si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit tip pistoletë, me të cilën është kryer krimi.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, po vazhdojnë hetimet në vendngjarje, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.