Ende nuk ka rezultate konkrete në gjetjen e dy personave të zhdukur në Sarandë, 46-vjeçarët Leonard Thodhori e Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi edhe pse kanë kaluar tashmë 20 ditë nga zhdukja e tyre.
Megjithatë detaje të reja janë zbuluar nga dosja hetimore e cila është plotësuar kryesisht me dëshmi.
Rezulton se 46-vjeçari Leonard Thodhori, para zhdukjes është thirrur në një lokal në qytetin e Sarandës, ku i është instaluar në telefon një aplikacion me qëllim që të fliste me një person për të mos u përgjuar.
Mësohet se krahas aplikacionit atij i është dhënë edhe një shumë prej 200 eurosh. Nuk dihet se cila ka qenë arsyeja që “Koçolja” është shpërblyer me këtë shumë të hollash, ndërkohë që pretendohet se ishte në konflikt me persona që dyshohet se kanë kryer edhe eliminimin fizik të tij.
Edhe vetë familjarët e “Koçoles” pretendojnë se ai më parë ka pasur një telefon të thjeshtë, ndërsa tashmë përdorte një Smartphone dhe me familjarët përdorte aplikacionin “Whatsapp”.
Edhe pse familjarët pretendojnë se ai nuk sillte më shumë se 10-20 mijë lek të reja në familje, kohët e fundit ai ishte parë në qarkullim nën drejtimin e një automjeti luksoz “Mercedes-Benz” S Class.