Thomas Carothers & Richard Youngs/ “Foreign Affairs”
Në Perëndim është e vështirë t’i shmangesh pesimizmit që përshkon diskutimet aktuale mbi çështjet globale. Nga pushtimi rus i Krimesë dhe krizat e pafundme të Bashkimit Evropian, tek katastrofa siriane dhe ngritja e Shtetit Islamik, bota duket se është duke u thërrmuar. Ndërkohë, vetë demokracia ngjan të jetë në shturje – e ndihmuar nga autoritarizmi, dobësimi i vlerave demokratike liberale, rritja e populizmit dhe një antiliberalizëm ngjitës.
Padyshim që demokracia e ka humbur vrullin e saj global. Sipas “Freedom House”, sot në botë ekzistojnë vetëm pak më shumë demokraci elektorale, sesa në fillim të këtij shekulli. Dhjetëra demokraci të reja në botën në zhvillim, janë duke u përpjekur të hedhin rrënjë, dhe shumë demokraci – duke përfshirë edhe ato më të vjetrat, natyrisht, edhe Shtetet e Bashkuara janë të trazuara. Teoria se tranzicionet demokratike lëvizin natyrshëm në kahje positive, dhe se demokracitë e vendosura nuk kanë më kthim pas, nuk vlen më. Pasi zymtësia është bërë kaq e dendur, saqë po e errëson realitetin. Një numër politikanësh, gazetarësh dhe analistësh janë duke i thjeshtëzuar prirjet negative dhe parë më shumë aspektet pozitive. Ata shpërfillin me lehtësi ngjitjen në pushtet të Presidentit Donald Trump, votën Brexit dhe integrimin e populizmit në shumë pjesë të Evropës, si pjesë të një kundërevolucioni gjithëpërfshirës global kundër normave liberale. Edhe pse gjendja e demokracisë në mbarë botën është vërtetë shumë e pështjelluar, nuk është e tmerrshme në mënyrë uniforme, veçanërisht, jashtë Perëndimit.
Idealizim i të kaluarës dhe përqëndrim tek aspektet negative
Shqyrtimi i zhvillimeve aktuale përzjehet me nostalgjinë për vitet 1990 dhe fillimin e viteve 2000, si periudha e angazhimit të fortë global ndaj normave liberale. Por, edhe atëherë, forcat joliberale qenë duke riafirmuar veten. Për shembull, në vitin 1997, komentatori politik Fareed Zakaria paralajmëroi në “Foreign Affairs”, ‘rritjen e demokracisë joliberale’, duke argumentuar se ‘gjysma e vendeve në demokratizim e sipër sot, në botë, janë demokraci joliberale’. Dhe, madje, edhe në kulmin e valës së tretë të demokracisë, në fund të viteve 1990, Lindja e Mesme mbeti thuajse tërësisht një rajon pa demokraci, ish-Bashkimi Sovjetik ishte duke u drejtuar gjithnjë e më tepër drejt autoritarizmit sesa demokracisë, ndërsa Afrika kremtonte gjerësisht “udhëheqësit e rinj”, përfshirë presidentin e Ruandës, Paul Kagame dhe atë të Ugandës, Yoweri Museveni, që ishin njerëz të fortë antidemokratikë.
Ata që humbin shpresën tek e ardhmja e demokracisë, kanë tendencën të përqëndrohen tek një grup i dukshëm, zhvillimesh negative – veçanërisht, tek dështimi përvëlues i Pranverës Arabe dhe rritja e populizmit joliberal në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, në rajone të tjera të rëndësishme, tablloja është e ndryshme. Indeksi i Demokracisë së “Economist Intelligence Unit”, për Azinë dhe Afrikën, tregon një përmirësim modest gjatë dekadës së fundit. Në fakt, cilësia e demokracisë është përmirësuar në vende të tilla, si: Burkina Faso, Gambia, Gana, Guatemala, Bregu i Fildishtë, Sri Lanka, Tunizia dhe Ukraina, pavarësisht, problemeve serioze me të cilat janë përballur.
Në Amerikën Latine, vala joliberale populiste e fillimviteve 2000 është duke u tkurrur. Kolumbia dhe Nepala kanë ndërmjetësuar marrëveshje paqeje me lëvizjet kryengritëse, duke i dhënë fund dekadave të luftës civile, ndërsa një numër rekord qytetarësh janë shfaqur të përkushtuar ndaj institucioneve dhe normave demokratike.
Studuesit Roberto FOA dhe Yascha Mounk, kanë paralajmëruar në mënyrë të dobishme se një “dekonsolidim demokratik” mund të ndodhë tek demokracitë perëndimore, si pasojë e rënies së respektimit të vlerave demokratike themelore. Por, sikurse ka vënë në dukje Pippa Norris nga Universiteti i Harvardit, disa sondazhe të bazuara në grupe më të gjera të të dhënave, dëshmojnë se ky nuk është një model i qëndrueshëm tek demokracitë perëndimore.
Për më tepër, rënia e tanishme nuk është konstatuar gjerësisht jashtë Perëndimit. Në Afrikë dhe Amerikën Latine, mbështetja publike për vlerat themelore demokratike, ka mbetur e lartë dhe e qëndrueshme gjatë dekadës së fundit. Dhe, pavarësisht rezultateve zhgënjyese të Pranverës Arabe, vëzhgimet e “World Values Survey”, tregojnë se mbështetja për demokracinë në Lindjen e Mesme, është në një trajektore graduale rritëse.
Populizëm i përgjithësuar me tepri
Pas Brexit dhe zgjedhjeve presidenciale amerikane, disa vëzhgues e lidhën Trump me një numër aktorësh shumë të ndryshëm, që paraqesin në shkallë gjerësisht të ndryshme, kërcënim për demokracinë, si: presidenti rus, Vladimir Putin, politikani holandez, Geert Wilders, kryeministri indian, Narendra Modi, ai turk, Rexhep Tajip Erdogan dhe ish-kandidati presidencial në Indonezi, Prabowo Subianto.
Por jo të gjitha partitë politike apo personat e etiketuar si populistë, kanë tendenca joliberale apo autoritare në mënyrë të barabartë. Dhe të gjitha prirjet aktuale autoritare, nuk janë domosdoshmërisht të rrënjosura tek populizmi. Disa udhëheqës autoritare, që janë quajtur populistë, mund të përdorin një zhargon populist, si p.sh., ta etiketojnë veten si “njerëz të popullit”, por ata janë populistët më të kulluar, çka do të thotë se nuk paraqesin alternativa ndaj pushtetit tradicional, që fiton ndikim, duke mobilizuar grupimet, elektorale të disavantazhuara.
Për shembull, Putin konsiderohet shpesh nga gazetarët perëndimorë si një udhëheqës populist. Megjithatë, ai është një produkt i një aparati represiv të shtetit rus, që ka ekzistuar prej një kohe të gjatë dhe është thellësisht i kujdesshëm ndaj mobilizimit popullor. Edhe pretendimi se populizmi ka aktualisht një shtrirje globale, është një tjetër teprim.
Diskutimet e fundit mbi një “lëvizje populiste globale”, krijojnë më shumë nxehtësi, sesa dritë, mbi problemet e demokracisë. Tek e fundit, populizmi nuk ka shënuar përfitime të dukshme në Afrikë, Lindjen e Mesme, Azi apo Amerikën Latine, gjatë viteve të fundit. Narrativa e “valës populiste globale”, nënkupton se bota po kalon një periudhë pasigurie dhe ndryshimesh marramendëse.
Megjithatë, problemi më i zakonshëm tek vendet që përpiqen ta bëjnë demokracinë funksionale, është fortifikimi i elitave të korruptuara, të cilat bllokojnë çdo ndryshim thelbësor, duke rezultuar në një degradim gradual të normave dhe institucioneve demokratike.
Ajo që i shtohet kësaj tablloje pesimiste, është tendenca për ta interpretuar rritjen dhe përhapjen e protestave, si një tjetër shenjë të një epidemie populiste. Sipas shumë analistëve, protestuesit janë të zemëruar me politikanët e tyre dhe populizmi ushqehet me një zemëratë të tillë.
Protestat në shkallë të gjerë janë realisht në rritje në mbarë botën. Por interesant është fakti, se ato kërkojnë të rrëzojnë udhëheqësit e korruptuar, dhe jo të ndihmojnë ngjitjen në pushtet të demagogëve populiste. Lëvizjet protestuese, që kanë ndodhur në Rumani, gjatë disa viteve të fundit, kanë pasur sukses në bërjen e antikorrupsionit një çështje qendrore në politikën rumune.
Natyrisht, liderët populistë i kthehen shpesh rrugëve, kur janë vetë me shpatullat pas murit. Për shembull, gjatë përpjekjes për grusht shteti në Turqi korrikun e kaluar, Erdogan u mbështet tek mobilizimi popullor për ta ndihmuar në ruajtjen e pushtetit të tij.
Megjithatë, në tërësi, vala e protestave në mbarë botën, ka kryesisht lidhje me kërkesat për llogaridhënie nga ana e qeverive. Mbajtësit e pushtetit në shumë vende, po ushtrojnë mjaft presion kundër shoqërisë civile të pavarur, shpesh duke u përpjekur të kufizojnë misionin e saj. Ndonëse një prirje negative, kjo është një shenjë e përhapjes së gjerë të fuqizimit të qytetarëve, si një ide por edhe një parim organizues.
Keqinterpretimi i valës së autoritarizmit
Është sigurisht e vërtetë, se qeveritë e ndryshme autoritare janë bërë më të guximshme në ndjekjen e synimeve gjeopolitike jashtë kufijve të tyre. Kjo përfshin pushtimin e një pjese të Ukrainës nga Rusia, përfshirjes në Siri, dhe ndërhyrja politike tek Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Shembuj të tjerë përfshijnë ambicjet territoriale të Kinës në Detin e Kinës Jugore, rolin e rritur të Iranit në Irak, Siri dhe Jemen, dhe ndërhyrjet ushtarake të Arabisë Saudite në Jemen dhe Siri.
Një riafirmim më i madh i fuqive autoritare shkakton shumë implikime negative për të ardhmen e demokracisë globale. Por kjo s’do të thotë se autoritarizmi, si një lloj regjimi politik, është duke pasur sukses. Regjimet më autoritare përballen me sfida të thella të brendshme dhe dobësinë e tyre.
Në fakt, janë pikërisht vështirësitë që sistemet autoritare kanë në shpërndarjen e të mirave materiale për qytetarët e tyre, ato që shpesh i nxisin ata të bëhen më agresivë jashtë kufijve të veta. Aventurizmi i jashtëm mund të ndihmojë udhëheqësit autoritarë ta shkëpusin popullin nga dështimet e tyre të brendshme. Paaftësia e Putinit për të kryer reformat ekonomike efikase dhe ato të antikorrupsionit, e kombinuar me efektin shkatërrues të rënies së çmimeve të naftës mbi ekonominë ruse, e ka nxitur atë të gjejë mënyra të tjera për të ruajtur legjitimitetin e tij në shtëpi. Aktet provokuese jashtë vendit janë një zgjedhje e natyrshme.
Megjithëse Kina ka realizuar mrekullinë e saj ekonomike, korrupsioni i saj i dukshëm dhe një rritje më e ngadaltë ekonomike, vitet e fundit, e kanë detyruar presidentin Xi Jinping të kultuvojë burime të tjera të legjitimitetit – një politikë e jashtme më agresive është njëra nga pasojat.
Me pak fjalë, edhe pse demokracia liberale është duke u përballur me sfida të mëdha ndërkufitare, nga ana e fuqive autoritare, kërcënimi kryesor nuk është suksesi i autoritarizmit si një sistem politik, por më tepër paqëndrueshmëria që prodhojnë regjime të tilla.
Pa dyshim, ka shumë terren për dekurajim. Gjendja e përgjithshme e demokracisë në botë, është shumë më pak e shëndetshme, sesa u parashikua gjatë viteve të para të valës së tretë të demokracisë.
Megjithatë, është e nevojshme një ndjesi perspektive: e kaluara nuk ishte aq e ndritshme sa dukej për t’u kujtuar; demokracia po tregohet e qëndrueshme në disa rajone, populizmi nuk është një prirje globale siç është portretizuar shpesh dhe shumica e njerëzve janë më të interesuar tek llogaridhënia se sa antiliberalizimi.
Tendenca për t’i parë zhvillimet globale përmes lenteve të kundërevolucionit antidemokratik, na jep një tabllo të shtrembër. Një perspektivë më e nuancuar mund të mos shpërndajë zymtësinë, por ajo mund të ndihmojë në parandalimin e rënies në paaftësinë e pesimizmit dhe, rrjedhimisht, gabimin e heqjes dorë ndaj mbështetjes së demokracisë, si pjesë e politikës së jashtme perëndimore.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce