Dritan Demiraj është takuar sot me Ilir Metën, i cili e priti ministrin në Presidencë.
Ministri i Brendshëm Demiraj ia bëri të ditur presidentit situatën aktuale dhe rrezikun nga zjarri në vend.
Takimi mes Presidentit Meta dhe Demirajt zgjati 40 minuta. Gjatë takimit, kreu i Shtetit vlerësoi punën e forcave zjarrfikëse të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, njësive të emergjencës, si dhe drejtuesve të pushtetit vendor për të neutralizuar zjarret e për t’iu ndodhur pranë qytetarëve të prekur nga këto vatra zjarri.
Gjithashtu, Meta u bëri thirrje të gjitha autoriteteve që të marrin masa drastike në përputhje me ligjin për parandalimin e zjarrvënieve të qëllimshme, si dhe nxit institucionalisht të gjithë autoritetet qendrore e vendore të vazhdojnë përpjekjet për koordinimin në kohë dhe me efektshmërinë e duhur të marrjes së masave të emergjencës, për t’u ardhur në ndihmë zonave dhe qytetarëve të prekur nga zjarret.
Ministri Demiraj është angazhuar në terren me inspektime e monitorime, ndërsa një ditë më parë dënoi angazhimin e forcave të pakta të zjarrfikësve për shuarjen e flakëve në Krastë të Elbasanit.
Po dje, Greqia dhe Italia iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për ndihmë të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati për fikjen e vatrave të zjarrit.
Në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të Emergjencave Civile, në vend janë shënuar 15 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan, Shkodër, Fier, Berat, Lezhë.
Për shuarjen e tyre janë angazhuar 24 makina zjarrfikëse, 109 forca zjarrfikëse, 20 punonjës të Gardës, 90 forca ushtarake, 11 forca pyjore dhe helikopterë.