Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm të enjten, pas rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të lidhura me raportime për sulme ushtarake pranë Ngushticës së Hormuzit.
Nafta Brent u rrit me 3.51 dollarë, ose 3.72%, duke arritur në 97.80 dollarë për fuçi.
Ndërsa nafta amerikane WTI u rrit me 3.31 dollarë, ose 3.73%, duke shkuar në 91.99 dollarë për fuçi.
Sipas raportimeve, Irani ka njoftuar se ka shënjestruar një bazë ajrore amerikane në përgjigje të një sulmi amerikan pranë aeroportit Bandar Abbas.
Nga ana tjetër, burime amerikane bëjnë të ditur se ushtria amerikane ka kryer sulme ndaj objektivave iraniane që konsiderohen kërcënim për forcat e saj dhe për trafikun detar në rajon.
Situata ka shtuar pasigurinë në tregjet globale të energjisë, veçanërisht për shkak të rolit strategjik të Ngushticës së Hormuzit në furnizimin me naftë.
Vetëm një ditë më parë, çmimet kishin rënë ndjeshëm, pas shpresave për ulje të tensioneve mes dy vendeve.
Analistët thonë se tregu mbetet i ndjeshëm ndaj çdo zhvillimi në rajon, ndërsa edhe rënia e rezervave të naftës në SHBA ka ndikuar në rritjen e çmimeve.















