22 Tetor 1964 – Jean-Paul Sartre fiton çmimin Nobel në letërsi, por refuzon ta tërheqë atë.
Në romanet, esetë dhe dramat e tij, Sartre zhvilloi filozofinë e ekzistencializmit, duke argumentuar se çdo individ duhet të gjejë qëllimet për jetën e tij, pasi vetë jeta nuk ka ndonjë kuptim të lindur. Sartre studioi në elitaren École Normale Supérieure, gjatë viteve 1924- 1929. Ai u njoh me Simone de Beauvoir, e cila u bë partnerja e tij gjatë gjithë jetës.
Çifti kalonte orë të panumërta në kafene, duke folur, shkruar dhe konsumuar kafe. Sartri u bë profesor i filozofisë, dhe dha mësim në Le Havre, Laon dhe Paris. Në vitin 1938, romani i tij i parë, “Neveria”, u botua në formën e një ditari të një intelektuali, të përndjekur nga turmat e njerëzve në kafene. Në vitin 1939, u angazhua kundër gjermanëve me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, me pushtimin e vendit u burgos për rreth një vit; dhe më vonë luftoi në krah të Rezistencës Franceze.
Në vitin 1943, ai botoi një nga veprat e tij kryesore, “Qenia dhe mosqënia”, ku argumentoi se njeriu është i dënuar të jetë i lire, dhe se ka një përgjegjësi shoqërore. Sartre dhe Beauvoir u angazhuan në lëvizjet sociale, duke mbështetur komunizmin dhe protestat radikale të studentëve në Paris në vitin 1968.
Në vitin 1946, ai vazhdoi të zhvillonte filozofinë e tij me librin “Ekzistencializmi dhe humanizmi”. Në vitet 1950-1960, i kushtohet studimeve të figurave letrare si Baudelaire, Jean Genet dhe Flaubert. Shëndeti dhe shikimi i Sartre u rëndua në vitet e tij të mëvonshme, dhe ai vdiq në vitin 1980.
22 Tetor 1811 – Lind pianisti dhe kompozitori i famshëm hungarez Franz Liszt
I lindur nga një baba muzikant, i punësuar në shërbim të një princi hungarez, Liszt mësoi të luajë në piano që në moshën 7-vjeçare, dhe u shqua menjëherë si një talent. Vëmendjen më të madhe si interpetues, e pati që në fillim të njezetave të tij në kryeqytetin francez, Paris.
I ndikuar nga violinisti italian Niçolo Paganini, Liszt zhvilloi një stil unik interpretimi që ndihmoi në formësimin e një teknike të veçantë të luajtjes në piano, duke tërhequr sidomos publikun femëror në një tur koncertesh në të gjithë Europën, në kulmin e karrierën e tij në vitet 1840-1850. Ai pati një lidhje me shumë vajza dhe gra nga familje të njohura aristokrate, dhe besohet gjerësisht se pati shumë fëmijë jashtë martese. Liszt vdiq nga pneumonia më 31 korrik, 1886, në Bayreuth të Bavarisë në Gjermani.
22 Tetor 1707 – Dy mijë britanikë gjejnë vdekjen në katastrofën detare në ishujt Scilly
2000 njerëz humbën jetën gjatë kohës kur flota detare britanike nën komandën e Sër Cloëdisley Shovell, po kthehej nga Gjibraltari për në Portsmouth gjatë tetorit 1707. Për shkak të një kombinimi të motit të keq dhe paaftësisë së marinarëve për të llogaritur me saktësi pozicionin e tyre, flota humbi rrugën duke iu afruar ishujve Scilly. Tre anije u përplasën njëra pas tjetrës me shkëmbinjtë nënujorë, duke u fundosur në det. Ironikisht shumica e marinarëve të asaj kohe nuk dinin not, përndryshe numri i viktimave do të ishte më i ulët.
22 Tetor 1797 – Garnerin, njëriu i parë që kryen hedhjen me parashutë
Hedhja e parë me parashutë në histori, kryehet nga André-Jacques Garnerin nga një balonë me hidrogjen në një lartësi prej 3200 metrash mbi Paris. Italiani Leonardo da Vinçi e konceptoi i pari idenë e parashutës, dhe francezi Louis-Sebastien Lenormand krijoi një lloj parashutë me dy ndarje, me të cilën u hodh nga një pemë në vitin 1783, por André-Jacques Garnerin ishte i pari që projektoi dhe testoi një parashutë të aftë për të ngadalësuar rënien e një njeriu nga një lartësi e madhe. Gjithësesi ulja e parë nuk qe edhe aq e butë, pasi Garnerin u ul gjysmë milje larg nga vendi i ngritjes në fluturim, duke u lënduar në njërën këmbë.
22 Tetor 1913 – Një shpërthim në një minierë qymyri në Dawson të Nju Meksikos, vret më shumë se 250 punëtorë. Shkaku i shpërthimit ishte tipik për shumë tragjedi të ngjashme në miniera- një xhep i gazit metan merr flakë nga një llambë e përdorur nga minatorët.
22 Tetor 1859 – Spanja u shpall luftë mbi Maorëve në Marok.
22 Tetor 1914 – Shtetet e Bashkuara nisin mbështetjen e tyre ekonomike ndaj Aleatëve në Luftën e Parë Botërore.
22 Tetor 1918 – Qyteteve të Baltimorës dhe Uashingtonit, u mbarojnë arkivolet gjatë epidemisë së rëndë të Gripit Spanjoll.
22 Tetor 1938 – Chester Carlson shpik fotokopjen. Ai përpiqet t’ia shesë makinerinë kompanive të njohura si IBM, RCA, Kodak etj, por këto të fundit fillimisht refuzuan, pasi nuk panë asnjë dobi tek një pajisje që nuk bënte gjë tjetër veçse kopje.
22 Tetor 1954 – Pas marrëveshjeve të Gjenevës, që i dhanë komunistëve të drejtën e kontrollit mbi Vietnamin e Veriut, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dwight D. Eisenhower, autorizon një program për të trajnuar ushtrinë e Vietnamit të Jugut.
22 Tetor 1966 – Bashkimi Sovjetik lëshon anijen hapsinore “Luna 12”, për të qëndruar në orbitën rreth Hënës
22 Tetor 1978 – Përurohet Papati i Papa Gjon Paliit II; i lindur si Karol Jozef Vojtila. Polaku Vojtila është i pari papë jo-italian, që nga koha e vdekjes së Papa Adrianit VI në vitin 1523. Ai do të bëhej papa i dytë më jetë-gjatë në historinë e Papatit, dhe do të ushtronte një ndikim të konsiderueshëm në ngjarjet e fundit të shekullit XX-të.
22 Tetor 1999 – Maurice Papon, dikur një zyrtar i lartë në qeverinë kolaboracioniste franceze të Vishisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, burgoset me akuzën e krimeve kundër njerëzimit, për rolin e tij në deportimin e më shumë se 1.600 hebrenjve francezë në kampet naziste të përqëndrimit.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce