2 Tetor 1869 – Lind “babai” i pavarësisë së Indisë, Mahatma Gandhi
Mohandas Karamchand Gandhi, lindi në Porbandar, një qytet bregdetar në Gujarat të Indisë. Babai i tij, Karamchand Gandhi (1822-1885), i cili i përkiste komunitetit Hindu Modh, ishte diëan (kryeministër) i shtetit Porbander, një principatë e vogël në Agjencinë Kathiawar të Indisë Britanike. Nëna e tij, Putlibai, ishte gruaja e katërt e Karamchandit, tri gratë e para kishin vdekur me sa duket gjatë lindjes së fëmijëve të tjerë.
Duke u rritur nga një nënë e përkushtuar dhe me traditat e rajonit, i riu Mohandas thithi që herët ndikimet që do të luanin një rol të rëndësishëm në jetën e tij në moshë madhore; këtu përfshihej dhembshuria për njerëzit e pambrojtur, vegjetarianizmin, agjërimi për vetë pastrim dhe toleranca reciproke ndërmjet individëve të besimeve të ndryshme, vlera që do të dilnin në pah në pjesën më të madhe të karrierës së tij si jurist, dhe më pas si udhëheqës i lëvizjes paqësore të popullit të tij, për pavarësi nga Britania e Madhe.
2 Tetor 1951 – Lind këngëtari i njohur britanik Sting
Gordon Sumner (i njohur nga të gjithë si Sting) lindi në Neëcastle të Anglisë. Para se të bëhej një muzikant profesionist, ai punoi si mësues. Sting këndonte dhe luante në bas, saksofon dhe piano në klubet e Xhazit të Newcastle në fillimin e të njëzetave të tij, kur edhe mori pseudonimin e tij, për shkak të këmishës me shirita të verdhë e të zinj që mbante shpesh.
Në vitin 1977, Sting formon grupin “Police”, së bashku me bateristin Stewart Copeland dhe kitaristin Andy Summers. Albumet hit të grupit përfshijnë “Zenyatta Mondatta” (1980), së bashku me këngët “Don’t Stand So Close to Me”, “Ghost in the Machine” (1981), “Every Little Thing She Does Is Magic”. .
Albumi i fundit i grupit, “Synchronicity”(1983), ishte suksesi më i madh, me hite si “Every Breath You Take” dhe “Wrapped Around Your Finger”. Sting, nisi më pas një karrierë të suksesshme solo, duke u bërë një yll ndërkombëtar i muzikës, me albume të shumta duke përfshirë “Dream of the Blue Turtles” (1985), “Nothing Like the Sun” (1987) dhe “The Soul Cages” (1991).
2 Tetor 1993 – Komunistët e vijës së ashpër, shkaktojnë trazira në Moskë gjatë një proteste kundër Boris Jelcin
Të shtëna dhe disa të plagosur shkaktuan përleshjet demonstruesve pro-komunistë me forcat ruse të sigurisë, besnike ndaj presidentit Boris Jelcin në Moskë. Protestuesit ngritën barriera dhe ndezën goma në rrugët kryesore të Moskës. Ata kishin dalë në rrugë, në mbështetje të deputëteve rebelë që kishin pushtuar godinën e parlamentit rus. Këta të fundit, kundërshtonin vendimin e presidentit për të shpërndarë parlamentin dhe bërë thirrje për zgjedhje të reja. Ndërkohë, Kisha Ortodokse Ruse, apeloi për qetësi, ndërsa paralajmëroi se vendi rrezikonte të shpërbëhej.
2 Tetor 1836 – Charles Darwin rrikthehet në Angli, pas ekspeditës 5-vjeçare nëpër botë
Natyralisti britanik, Charles Darwin, rrikthehet në Falmouth, Angli, në bordin anijes “Beagle”, duke i dhënë fund ekspeditës 5-vjeçare në oqeanet e Atlantikut të Jugut dhe Paqësorit. Duke vizituar vende të tilla si Brazili, Ishujt Galapagos dhe Zelanda e Re, Darwin përftoi shumë njohuri mbi florën, faunën dhe gjeologjinë e shumë tokave. Ky informacion u tregua i paçmuar në zhvillimin e Teorisë së tij të Evolucionit, e prezantuar në kryeveprën e tij shkencore novatore të vitit 1859, “Mbi origjinën e llojeve”.
2 Tetor 1944 – Merr fund Kryengritja e Varshavës
Kryengritja e Varshavës, përfundon me dorëzimin e rebelëve të mbijetuar polakë ndaj forcave gjermane. Dy muaj më herët, afrimi i Ushtrisë së Kuqe në Varshavë, bëri që forcat polake të rezistencës të nisnin një rebelim kundër pushtuesve nazistë. Rebelët, që mbështesnin qeverinë demokratike polake në mërgim në Londër, shpresonin të merrnin kontrollin e qytetit, përpara se atë ta “çlironin” sovjetikët.
Polakët druheshin se pushtuesit sovjetikë, do të vendosnin me forcë një regjim komunist pro-sovjetik në Poloni. Ata patën fillimisht epërsi ndaj njësive ushtarake gjermanëve të furnizuara dobët, por udhëheqësi nazist Adolf Hitler dërgoi shpejt përforcime. Gjatë luftimeve të egra rrugë më rrugë, polakët u shtypën gradualisht nga armët superiore gjermane. Ndërkohë, Ushtria e Kuqe pushtoi një pjesë të periferisë të Varshavës, por nuk bëri asnjë përpjekje për të ndihmuar rebelët polakë.
2 Tetor 1919 – Presidenti i SHBA-së, Woodrow Wilson, pëson një goditje në tru, që e la pjesërisht të paralizuar në anën e majtë, duke i dhënë efektivisht fund karrierës së tij presidenciale. Në kohën e goditjes, Wilson ishte angazhuar në një përpjekje të fundit për të fituar mbështetjen e publikut amerikan për Traktatin e Versajës, dhe vizionin e saj të bashkëpunimit ndërkombëtar nëpërmjet Lidhjes së Kombeve.
2 Tetor 1968 – Më shumë se 25 vetë mbetën të vdekur, gjatë një përplasje të ashpër me armë në Meksikë, kur trazirat e shkaktuara nga protesta e mijëra studentëve, kërcënuan mbarëvajtjen e Lojërave Olimpike. Studentët ishin mbledhur, për të protestuar kundër pushtimit ushtarak të Institutit Politeknik Kombëtar.
2 Tetor 2005 – Gazeta daneze “Jyllands-Posten”, publikon karikaturën e diskutueshme të Profetit Muhamed. Ky akt, shkaktoi trazira dhe protesta në shumë vende të botës.
2 Tetor 1870 – Shtetet papale votojnë në favor të bashkimit me Italinë. Kryeqyteti i vendit, zhvendoset nga Firence në Romë.
2 Tetor 1909 – Orville Wright vendos një rekord të ri me avionin e tij, duke fluturuar në mbi 500 metra lartësi.
2 Tetor 1990 – Fluturimi 8301 i “Xiamen Airlines” në Kinë rrëmbehet dhe më pas rrëzohet në Aeroportin Ndërkombëtar Baiyun, duke goditur dy avionë të tjerë dhe vrarë gjithësej 128 persona.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce