16 Tetor 1793 – Jakobinët në Francë ekzekutojnë ish-mbretereshën Marie-Antoinette
Nëntë muaj pas ekzekutimit të bashkëshortit të saj, ish-mbretit francez Louis XVI, Marie-Antoinette e pason atë në gijotinë. Vajza e Perandorit të Shenjtë Romak, Francit I, u martua me Louis-in në vitin 1770 për të forcuar aleancën franko-austriake. Në kohën e një krize të rëndë ekonomike në Francë, ajo jetoi në mënyrë ekstravagante, dhe e nxiti bashkëshortin e saj t’i rezistonte reformimit të monarkisë.
Në një episod, ajo thuhet se reagoi ndaj lajmit se fshatarësia franceze nuk kishte bukë për të ngrënë, duke u shprehur:”Epo, le të hanë tortë!”. Shpërthimi revolucionar në rritje, e bindi mbretin dhe mbretëreshën të provonin të arratiseshin për në Austri më 1791, por u kapën nga trupat revolucionare, dhe u kthyen sërish në Paris. Në 1792, monarkia franceze u rrëzua dhe Louis dhe Marie-Antoinette u dënuan me vdekje me akuzën e tradhëtisë kombëtare.
16 Tetor 1854 – Lindi shkrimtari dhe eseisti i famshëm irlandez Oscar Wilde
Oscar Wilde lindi në Dublin të Irlandës. Ai u rrit në vendlindje, dhe më pas shkoi në Angli për të ndjekur studime në Universitetin e Oksfordit, ku u diplomua me medalje në vitin 1878. Një figurë e njohur e shoqërisë mondane, dhe i njohur për stilin e tij ekstravagant, Wilde botoi librin e tij të parë me poezi në vitin 1881.
Më pas qëndroim një vit në SHBA, duke dhënë leksione pikërisht mbi poezinë. Pas rrikthimit në Britani, u martua dhe pati 2 dy fëmijë, për të cilët shkroi disa përralla të këndshme, të cilat u botuan në vitin 1888. Ndërkohë, Wilde shkruante komente të ndryshme dhe ishte redaktor i revistës “Bota e Grave”.
Në vitin 1891, botohet romani i tij i vetëm, “Portreti i Dorian Grej”. Jeta dhe karriera e tij morën tatëpjetën, kur shpërtheu skandali i lidhjes së tij homoseksuale me djalin e një markezit të njohur anglez. Për shkak se homoseksualiteti klasifikohej si një krim në Anglinë e kohës, Wilde u arrestua u shpall fajtor dhe u dënua me 2 vjet punë të rëndë në kamp. Lirohet nga burgu në vitin 1897, duke u larguar nga Londra në Paris, ku dhe vdiq nga meningjiti akut në vitin 1900.
16 Tetor 1934 – Në Kinë, forcat komuniste nisin Marshimin e Madh
Lufta civile në Kinë, midis nacionalistëve dhe komunistëve, shpërtheu në vitin 1927. Më 1931, udhëheqësi komunist Mao Ce Dun, u zgjodh kryetar i republikës së sapokrijuar të Kinës, me seli në provincën Kiangsi në jugperëndim të vendit. Ndërmjet viteve 1930- 1934, nacionalistët nën drejtimin e Chiang Kai-shek, ndëmorrën një sërë sulmesh kundër republikës së re.
Nën udhëheqjen e Maos, komunistët përdorën taktikat guerrile duke i rezistuar me sukses katër fushatave të para, por në të pestën, Chiang mblodhi rreth 700.000 trupa dhe ndërtoi fortifikime rreth pozicioneve komuniste. Qindra mijëra fshatarë u vranë ose vdiqën nga uria gjatë rrethimit disamujor.
Për të shmangur humbjen e afërt, komunistët vendosën të dilnin nga rrethimi në pikat e tij më të dobëta. Marshimi i Madh filloi në orën 5:00 të mëngjesit të 16 tetorit 1934, dhe zgjati 368 ditë duke përshkruar një distancë prej mbi 8500 km. Nga 86.000 trupa që morën pjesë në atë rrugëtim epik, vetëm 4 mijë prej tyre arritën të mbijetonin.
16 Tetor 1991 – Njëzet e tre persona vriten në një restorant në Teksas të SHBA-së
George Jo Hennard përplas kamionin e tij në kafeterinë Luby në Kileen të Teksasit në SHBA, dhe më pas hap zjarr mbi dhjetëra njerëz që gjendeshin në lokal, duke vrarë 23 prej tyre dhe plagosur mbi 20 të tjerë. Hennard filloi të përballet edhe me policinë e cila mbërriti shumë shpejt, por pas të shtenave të para vrau veten. Ky incident, ishte një nga të ngjarjet më vdekjeprurëse në historinë e vendit. Dëshmitarët raportuan se 35-vjeçari qëllonte mbi njerëzit në mënyrë të rastësishme, duke e rimbushur armën disa herë. Motivet e këtij akti të çmendur, nuk u zbuluan asnjëherë.
16 Tetor 1555 – Peshkopët protestantë anglezë Hugh Latimer dhe Nicholas Ridley, digjen në turrën e druve, të akuzuar si heretikë.
16 Tetor 1701 – Në SHBA themelohet Universiteti i Jeilit nga kongregacionalistët, që e konsideronin Universitetin e Harvardit si tepër liberal.
16 Tetor 1973 – Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, dhe homologu i tij i Vietnamit të Veriut Le Duc Tho, shpallen fitues të Çmimit Nobel për Paqe, për negocimin e marrëveshjes së paqes në Paris, për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme të Vietnamit.
16 Tetor 1916 – Ushtari britanik, Henry Farr, ekzekutohet për burracakëri. Në agimin e 16 tetorit, Farr i Forcave të Ekspeditës Britanike (BEF), refuzoi të shkonte në vijën e Frontit Perëndimor gjatë Luftës së Parë Botërore.
16 Tetor 1952 – Irani prish marrëdhëniet diplomatike me Britaninë e Madhe, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mbi shfrytëzimin e fushave të naftës në vend.
16 Tetor 1964 – Republika Popullore e Kinës, bëhet vendi i pestë në botë i pajisur me armë atomike, duke iu bashkuar kështu Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe Francës.
16 Tetor 1978 – Kisha Katolike Romake zgjedh për herë të parë në 455 vjet vite një Papë jo italian, kardinalin polak Karol Vojtila ose Papa Gjon Pali II.
16 Tetor 1986 – Një sulm terrorist me granata ndaj ushtarëve izraelitë dhe familjeve të tyre në Murin e Lotëve, shkakton vdekjen e një personi dhe plagosjen e 69 të tjerë. Përgjegjësinë për sulmin e mori Organizata për Çlirimin e Palestinës.
16 Tetor 1996 –Shtyrja mes tifozëve të futbollit, dhe kaosi që pasoi para një ndeshje eleminatore të Kupës së Botës, shkakton 84 të vdekur në Guatemalë.
16 Tetor 1996 – Pas masakrës së Dunblane, ku Thomas Hamilton hyri në palestrën e shkollës fillore lokale dhe vrau 16 fëmijë të vegjël dhe mësuesin e tyre, qeveria britanike njofton planet për të nxjerrë jashtë ligjit pothuajse të gjitha armët e lehta.
16 Tetor 1998 – Ish-dikatori kilian, Augusto Pinochet, arrestohet në Londër për t’u ekstraduar në vendin e tij me akuzën e vrasjes.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce