11 Shtator 2001 – SHBA-ja goditet nga disa sulme të rënda terroriste
Në orën 8:45 të mëngjesit të ditës së martë të 11 shtatorit 2001, një avion amerikan “Boeing 767”, plot me pasagjerë me me 20.000 litra karburant, u përplas me kullën veriore të Qendrës Tregtare Botërore në Nju Jork. Përplasja shkaktoi një të çarë të madhe dhe zjarr masiv në katin e 80-të të qiellgërvishtëses 110-katëshe, duke vrarë në çcast qindra njerëz, dhe zënë në kurth qindra të tjerë në katet e mësipërme.
Teksa po ndodhte evakuimi i shpejtë i njerëzve në kullën veriore dhe atë jugore, kamerat televizive transmetuan imazhe të drejtpërdrejta të atij që fillimisht u duk si një aksident i çuditshëm. Më pas, 18 minuta pas goditjes së avionit të parë, një avion i dytë Boeing 767 i linjës “United Airlines 175”, u përplas me kullën jugore në katin e 60-të.
Përplasja shkaktoi një shpërthim masiv, ndërsa flakët filluan të përhapen edhe mbi ndërtesat përreth dhe poshtë nëpër rrugë. Amerika ndodhej nën sulm. Sulmuesit ishin terroristë islamikë nga Arabia Saudite dhe disa vende të tjera arabe, ndërsa sulmi qe ideuar dhe vënë në zbatim nga organizata terroriste Al-Kaeda, dhe lideri i saj Osama bin Laden.
Al-Kaeda që e mori shpejt përsipër sulmin, e motivoi atë me mbështetjen e Amerikës ndaj Izraelit, përfshirjen e saj në Luftën e Gjirit Persik, dhe praninë e vazhdueshme ushtarake në Lindjen e Mesme. Disa nga terroristët kishin jetuar në Shtetet e Bashkuara për më shumë se një vit, dhe kishin marrë leksione për pilotimin e avionëve tregtarë. Të tjerët kishin mbërritur në SHBA pak muaj para sulmeve të 11 shtatorit, dhe atë ditë vepruan në rolin e mbështetësve të operacionit.
Ndërsa miliona njerëz po shihnin me tmerr ngjarjet që po ndodhnin në Nju Jork, një avion i tretë i rrëmbyer nga terroristët u rrëzua mbi Pentagon në orën 9:45, duke shkaktuar qindra të vrarë dhe të plagosur, ndërsa një i katërt, synoi të rrëzohej mbi Shtëpinë e Bardhë, por fatmirësisht u devijua falë kurajës së pasagjerëve të avionit, duke u rrëzuar në një fushë të hapur pa dëmtuar askënd në tokë, në një kohë që të gjithë njerëzit në bord mbetën të vdekur.
Rreth 3.000 njerëz vdiqën nga sulmet e asaj dite, ndërsa thuajse 10,000 njerëz të tjerë u plagosën. Në orën 21.00 të asaj mbrëmje, Presidenti Xhorxh W. Bush, mbajti një fjalim televiziv nga Zyra Ovale, duke deklaruar se “sulmet terroriste mund të shkundin themelet e ndërtesave tona më të mëdha, por ato nuk mund të prekin dot themelet e Amerikës”.
Bush shpalli fillimin e luftës frontale kundër terrorizimit. Në fillimin e muajit tetor, trupat amerikane nisën sulmin ndaj rregjimit të telabanëve në Afganistan, në marsin e vitit 2003 pushtuan Irakun, ndërsa forcat speciale arritën të vrasin udhëheqësin e Al-Kaedës Bin Laden vetëm më 2 majin e vitit 2001, në vendstrehimin e tij në Pakistan.
11 Shtator 1906- Gandi prezanton filozofinë e tij të protestave paqësore
Që me fillimin e Luftës së Afrikës së Jugut, me nismën e Gandit komuniteti indian atje u organizua në një korpus vullnetar të ndihmës mjekësore, për t’iu shërbyer afrikanëve zezakë të plagosur në betejë. Vetë Gandi ishte një bartës barelash në Betejën e Spion Kop-it, ku dhe u dekorua. Megjithatë në përfundim të luftës, situata për indianët nuk u përmirësua, përkundrazi vazhdoi të përkeqësohet.
Në vitin 1906, qeveria në Transvaal shpalli një ligji të ri që impononte regjistrimin e popullsisë indiane. Gjatë një proteste masive të zhvilluar në Johanesburg më 11 shtator të atij viti, Gandi prezantoi për herë të parë metodologjinë e satjagraha-s (përkushtimit ndaj së vërtetës) ose protestës jo të dhunshme, duke u bërë thirrje bashkëpatriotëve të tij indianë, që të sfidonin ligjin me metoda paqësore, në vend se të rezistonin me anë të mjeteve të dhunshme.
Ky plan u miratua, duke çuar në një luftë 7-vjeçare, gjatë së cilës mijëra indianë u burgosën (përfshirë edhe vetë Gandin në shumë raste), rrahën, madje edhe u qëlluan për vdekje për shkak se refuzuan të regjistroheshin, digjnin kartat e tyre të regjistrimit, ose angazhoheshin në format e rezistencës jo të dhunshme.
Ndërsa qeveria pati sukses në shtypjen e protestuesve indianë, protestat publike kundër metodave ç’njereëzore të përdorura kundër protestuesve paqësorë, e detyruan më në fund gjeneralin e Afrikës së Jugut Jan Christiaan Smuts, të negocionte me Gandin arritjen e një kompromisi.
11 Shtator 1971- Vdes ish-udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov
Ish-udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushovi, një nga figurat më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë, u nda nga jeta më 11 shtator 1971, në moshën 77-vjeçare. Hrushovi qe një adhurues i hershëm i kauzës komuniste, por ngjitja e tij në pushtet filloi në vitet 1930. Besnikëria ndaj udhëheqësit sovjetik, Josif Stalin, i shërbeu atij gjatë atij 10-vjeçari të trazuar, kur shumë udhëheqës të tjerë u vranë.
Pas luftës, Stalini e provomoi në nivelet më të larta të partisë dhe qeverisë. Kur Stalini vdiq në vitin 1953, shumë vëzhgues jashtë Rusisë mendonin se nuk kishte shumë gjasa që Hrushovi i padobishëm dhe i paarsimuar, të mbijetonte pa mentorin e tij politik. Megjithatë ai i zhënjeu të gjithë në këtë aspekt, dhe përmes një sërë aleancash me të tjerët, në parti dhe ushtri, arriti të zhdukë çdo kundërshtim ndaj pushtetit të tij në vitin 1955.
Duke u ndjerë i plotfuqishëm, në një fjalim të vitit 1956 përpara Kongresit të Partisë Komuniste Sovjetike, e denoncoi kultin e Stalinit, dhe taktikat brutale të policisë së tij sekrete. Hrushovi habiti shumë nga kolegët e tij dhe vëzhguesit perëndimorë, kur filloi të fliste për idenë e “bashkëjetesës paqësore” me Shtetet e Bashkuara. Ai filloi të zbuste disi kontrollin shtetëror mbi ekonominë, që ai besonte se kishte penguar zhvillimin e vendit.
11 Shtator 1973 – Presidenti kilian, Salvador Allende, vdes gjatë një grushti shteti
Ushtria kiliane, kreu në 11 Shtator 1973 një grusht shteti kundër qeverisë së presidentit Salvador Allende, udhëheqësi i parë marksist i zgjedhur në mënyrë demokratike në Amerikën Latine. Allende u mbyll me përkrahësit e tij në La Moneda, pallatin presidencial në Santiago, i cili u rrethua nga tanket dhe trupat e këmbësorisë, si dhe u bombardua nga ajri.
Allende i mbijetoi sulmit ajror, por u qëllua për vdekje kur trupat kiliane sulmuan pallatin, duke përdorur një pushkë automatike që presidentit i ishte dhuruar nga diktatori kuban Fidel Kastro. Qeveria amerikane dhe CIA, kishin punuar 3 vite për të nxitur një grusht shteti kundër Allendes, i cili konsiderohej nga administrata Nixon si një kërcënim për demokracinë në Kili dhe në Amerikën Latine. Ironikisht, Allende i zgjedhur në mënyrë demokratike, u pasua nga diktatori brutal, gjenerali Augusto Pinochet, i cili sundoi në Kili me grusht të hekurt për 17 vitet e ardhshme.
11 shtator 1960 – Nis bojkoti i Gjermanisë Perëndimore ndaj lindjes komuniste
Politikanët kërkuan nga qytetarët dhe bizneset në Gjermaninë Perëndimore të bojkotonin blerjen e të gjitha mallrave që vinin nga Gjermania Lindore komuniste, në shenjë proteste ndaj presioneve të komunistëve mbi Gjermaninë Perëndimore.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce