10 Nëntor 1928- Lind kompozitori dhe muzikanti i famshëm italian, Ennio Morricone
Në karrierën e tij të gjatë, Morricone ka kompozuar në një gamë të gjerë stilesh muzikore, duke qenë një nga kompozitorët më të gjithanshëm, eksperimentalë, dhe me ndikim të të gjitha kohërave. Që nga viti 1946, ai ka kompozuar mbi 500 kolona zanore për filma kinematografikë, televizionin, si dhe mbi 100 pjesë klasike.
Mbi 70 filma që kanë patur muzikën e tij janë vlerësuar me çmime, duke përfshirë të gjithë filmat e regjizorit të njohur italian Sergio Leone që nga “Për një grusht dollarë”, “Na ishte njëherë Perëndimi”, ”I miri, i keqi, i ligu”, të gjithë filmat e Giuseppe Tornatore (që nga “Kinema Parajsa”, “Beteja e Algjerit”, “1900” , “Ekzorcisti II” , filmat e tjerë të mirënjohur si “Misoni”, “Të paprekshmit”, “Tetëshja e urryer” etj.
Pas angazhimit si baterist në grupet e xhazit në vitet 1940, në vitin 1955 filloi të shkruante muzikë për opera, filma dhe teatër. Gjatë gjithë karrierës së tij, italiani kompozoi muzikë për artistë si Paul Anka, Mina, Milva, Zucchero dhe Andrea Bocelli. Nga vitit 1960 deri në 1975, Morricone fitoi famë ndërkombëtare për kompozimin e muzikës për filmat e zhanrit uestern.
Kolona e tij zanore në filmin “The Good, the Bad and the Ugly” në vitin 1966, u cilësua si më më ndikim në historinë e kinemasë, dhe u pranua në “Grammy Hall of Fame”.
Ndërkohë, me rreth 10 milionë kopje të shitura, muzika e “Once Upon a Time in the West”, është një ndër më të shiturat në mbarë botën në llojin e vet. Arritjet e tij të tjera përfshijnë tre “Grammy Awards”, tre “Golden Globe”, gjashtë “BAFTA”, dhjetë “David di Donatello”, njëmbëdhjetë “Nastro d’Argento”, dy “European Film Awards, “Golden Lion Honorary Award” dhe “Polar Music Prize” në vitin 2010.
10 Nëntor 1928 – Erich Maria Remarque nis botimin pjesë-pjesë të romanit “Asnjë e re nga Fronti i Perëndimit”
Remarque (Erich Paul Remark) lindi në vitin ë 1898 në Saksoninë e Ulët në Gjermani, në një familje me prejardhje franceze. Ai u regjistrua në ushtrinë gjermane në moshën 18 vjeç dhe u dërgua për të luftuar në Frontin Perëndimor, ku u plagos pesë herë, me herën e fundit që për pak i shpëtoi vdekjes. Kur u rrikthye në Gjermani pas luftës, ai e ndryshoi emrin e tij në Remarque, për të tingëlluar me francez dhe u angazhua në punë të ndryshme – mësues, gdhendës guri, shofer makine, gazetar sportiv – teksa ishte duke punuar mbi romanin e tij të parë.
Protagonisti i romanit “Asnjë e re nga Fronti i Perëndimit”, është Paul Baumer, një ushtar i ri gjerman që lufton në llogoret e Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1917, gjysma e kompanisë së Baumer- shumica e tyre shokë e gjimnazit – është vrarë në betejë. Vetë Paul plagoset dhe shtrohet në spital, kthehet në shtëpi me leje dhe pas disa ditësh rrikthehet në front, vetëm për t’u vrarë një javë para armëpushimit dhe fundit të luftës në vitin 1918.
Romani u publikua për herë të parë pjesë-pjesë nga datat 10 nëntor- 9 dhjetor 1928, në revistën “Vossische Zeitung”, ndërsa u botua i plotë vitin e ardhshëm, duke shitur mbi një milionë e gjysmë kopje brenda atij viti. Paraqitja realiste nga Remarque e luftës së llogoreve nga perspektiva e ushtarëve të rinj, provokoi reagime të forta, si pozitive ashtu edhe negative, në mbarë botën.
Romani u përkthye në mbi 20 gjuhë të botës, dhe u përshtat në një film të mirënjohur amerikan në vitin 1930, ndërsa pati edhe më vonë përshtatje të tjera kinematografike. Kritikët më të ashpër të Remarque, qenë vetë bashkatdhetarët e tij, shumë prej të cilëve mendonin se libri denigronte luftën gjermane, dhe se shkrimtari i kishte zmadhuar qëllimisht tmerret e luftës në funksion të axhendës së tij pacifiste.
Nuk është e habitshme që zërat më të fortë kundër Remarque erdhën nga Partia Kombëtare Socialiste (naziste), një grup ultranacionalist i udhëhequr nga fuhreri i ardhshëm, Adolf Hitler. Në vitin 1933, kur nazistët u ngjitën në pushtet, “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”, u bë një nga librat e parë “të degjeneruar”, që u dogjën publikisht. Pasi iu anulua shtetësia e tij gjermane më 1938, Remarque emigroi në Shtetet e Bashkuara, ndërsa vitet e fundit të jetës i kaloi kryesisht në Francë dhe Zvicër. Vdiq në Locarno të Zvicrës në vitin 1970.
10 Nëntor 1982 – Vdes udhëheqësi sovjetik Leonid Brezhnev
Brezhnev mbajti për 18 vjet rresht detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Vdekja e tij, shënoi fundin e një periudhe të historisë sovjetike, të karaterizuar nga stabiliteti politik, por edhe stanjacioni ekonomik. Sundimi i tij, u karakterizua edhe nga një represioni i egër ndaj kundërshtarëve dhe disidentëve politikë, ku personalitete si si Aleksandr Solzhenitsyn dhe Andrei Saharov u dënuan me vite të gjata në internim. Programi i tij për të barazuar forcën e ushtrisë sovjetike me atë të ushtrisë amerikane, e çoi në pikiatë ekonominë sovjetike.
10 Nëntor 1942 – Gjermanët pushtojnë “Republikën e Vishisë” në Francë. Që nga pushtimi i vendit në korrik 1940, qyteza e vogël, mbi 300 km në juglindje të Parisit, u shpall selia e një qeverie kukull të kryesuar nga marshalli, Philippe Petain. Publikisht, ai shprehej se Gjermania dhe Franca kishin një qëllim të përbashkët, “humbjen e Anglisë”.
Ndërkohë privatisht shpresonte, se duke luajtur rolin e ndërmjetësit midis fuqisë së Boshtit dhe bashkatdhetarëve të tij, mund t’i mbante larg trupat gjermane nga ajo pjesë e Francës. Në fshehtësi, ai tentoi të ndihmonte lëvizjen Antifashiste të Rezistencës. Kompromiset e Petain, qenë të parëndësishme gjatë dy viteve të para. Por kur forcat aleate arritën në Afrikën e Veriut, dhe u bashkuan me forcat e lira franceze, për të mposhtur gjertmanët, Hitleri në kundërpërgjigje urdhëroi pushtimin e Vishisë.
10 Nëntor 1444 – Forcat kryqtare të Mbretit Vladisllav III të Polonisë, pësojnë një disfatë të madhe në Betejën e Varnas, përballë turqve të drejtuar nga Sulltan Murati II. Në luftë vritet vetë Vladisllavi.
10 Nëntor 1793 – Nën sugjerimin e Pierre Gaspard Chaumette, Konventa Kombëtare në Francë, miraton krijimin e Perëndeshës së Arsyes.
10 Nëntor 1940 – Një tërmet i fortë godet qytetin e Vrancea në Rumani, duke shkaktuar vdekjen e 1.000 personave, dhe plagosur mbi 4.000 të tjerë.
10 Nëntor 1979 – Në Kanada, një tren mallrash me 106 vagona që mbanin kimikate shpërthyese dhe helmuese, del nga shina dhe rrëzohet në Mississauga, në perëndim të Torontos, duke shkaktuar një shpërthim masiv, dhe evakuimin më të madh në kohë paqeje në historinë kanadeze, dhe një nga më të mëdhenjtë në historinë e Amerikës së Veriut.
10 Nëntor 1983 – Bill Gates, prezanton versionin e parë të programit të mirënjohur kompjuterik, Windows 1.0.
10 Nëntor 1989 – Udhëheqësi jetëgjatë komunist bullgar, Todor Zhivkov, largohet nga detyra duke u zëvendësuar nga Petar Mlladenov.