Nga: Nadim Shehadi “Arab News”
Sa më shumë presion që ushtrohet mbi një sustë, aq më shumë tension krijohet brenda saj, dhe aq më lart do të kërcejë kur të largohet presioni. Ky është përkufizimi im mbi “Pranverën Arabe”, pra nuk ka të bëjë me pranverën si sezon, por më tepër me një spirale metalike.
Ruajtja e presionit mbi të shkakton më shumë dëme, bëhet më e kushtueshme, dhe kërkon më shumë kohë për t’u kthyer në një ekuilibër të qëndrueshëm. Kjo metaforë e përmbledh më së miri politikën ndërkombëtare në Siri. Ka disa leksione që mund të nxirren nga ky ri-përcaktim në 10 vjetorin e revolucionit Sirian dhe protestat në Tunizi, Egjipt, Libi dhe Jemen.
Ato nuk ishin revoltat e para në rajon. Njëzet vjet më parë, në vitin 1991, pas çlirimit të Kuvajtit, protestat shpërthyen në Irak kundër regjimit të Sadam Huseinit. Perceptimi i regjimit si i dobët, prania e forcave të koalicionit ndërkombëtar, dhe një deklaratë e presidentit amerikan të kohës Xhorxh H.W Bush e inkurajuan popullsinë lokale.
Brenda 2 javësh, qeveria qendrore e humbi kontrollin në 14 nga 18 provincat e vendit, ndërsa protestuesit pushtuan selinë e Partisë Ba’ath dhe bashkitë qytet pas qyteti. Nëse regjimi do të ishte shembur që në atë kohë, Iraku dhe rajoni do të kishin qenë sot në një pozitë shumë më të mirë.
Por nuk ndodhi kështu. Forcat e koalicionit të drejtuara nga SHBA-ja lejuan që helikopterët e Sadamit të fluturonin mbi kokat e tyre dhe t’i masakronin protestuesit. 60.000 deri në 200.000 njerëz u vranë, dhe ajo masakër ishte vetëm fillimi.
Në vend që bashkësia ndërkombëtare të mbronte civilët irakianë, këta të fundit u ndëshkuan me sanksione, ndërsa regjimit iu la dorë e lirë për të vazhduar masakrat e tij në jug dhe veri. Varre masive, kryesisht në jug të Irakut, po zbulohen ende sot.
Zonat e ndalim-fluturimit e ndanë vendin në 3 zona, dhe bombardimet sporadike u kalibruan në mënyrë të tillë që të mos rrezikonin regjimin dhe të shkaktonin rënin e e tij. Ndërkohë regjimi i Sadamit, fitoi më shumë pushtet me Programin e OKB-së për Ushqimin. Në atë kohë, nuk mund të blihej as edhe një aspirinë pa kaluar përmes Partisë Ba’ath. Vendi u rikthye në epokën e gurit me një varfëri të madhe, kolaps institucional dhe tensione sektare.
Ai ishte momenti kur profesorët e universitetit, në vend se t’i përdorin librat e tyre për të dhënë mësim, u detyruan t’i shisnin ato për të ushqyer fëmijët e tyre. Mijëra njerëz u arrestuan, torturuan dhe u zhdukën, ndërsa miliona u bënë refugjatë në vendet përreth.
Lufta Iran-Irak, masakrat e kurdëve në fushatën e Anfalit, masakrimi i tyre me gaz në Halabja në vitin 1988, dhe vrasja brutale e shiitëve në vitin 1991, ishin vetëm disa nga fatkeqësitë që i shkaktoi vendit Sadam Husein.
Por ai u mbajt në pushtet nga frika e pasojave. Njëherazi, dëmi i bërë duke e mbajtur atë në pushtet,i bëri dhe më të këqija pasojat përfundimtare. Ajo që pamë në Irak pas pushtimit të vitit 2003, nuk ishte rezultat i largimit të Sadamit, por pasoja e lejimit të qëndrimit të tij në krye të vendit për 24 vjet.
Nëse duhet të marrim një leksion nga Iraku, ai është se civilët kanë nevojë për mbrojtje nga regjimet tiranike. Mjerisht ajo që ndodhi në këtë vend, është se u mbrojt regjimi, pa e vrarë shumë mendjen për pasojat.
Pas Luftës së Parë të Gjirit Persik, Shtetet e Bashkuara arritën në një përfundim të gabuar:ndryshimi i regjimit duhet të parandalohej me çdo kusht. Tani janë sirianët ata që po e paguajnë çmimin e përfundimeve të tilla të gabuara, dhe politikat që rrjedhin prej tyre. Kur popullata siriane u ngrit kundër regjimit të Asadit, ajo u inkurajua serish nga prania e trupave ndërkombëtare në rajon, si dhe mbështetja që Perëndimi dha për revolta të ngjashme si ajo në Libi.
Imazhi i rënies së statujës së Sadamit në Bagdad, ishte gjithashtu shumë i fuqishëm dhe frymëzues. Sirianët ishin të bindur se do të mbroheshin në rast se dilnin dhe protestonin në rrugë. Por në vend të kësaj, regjimi i interpretoi mesazhet e paqarta nga bashkësia ndërkombëtare si një licencë për të vrarë.
Regjimi u lejua të masakrojë njerëzit e tij, dhe të shkatërrojë pjesën më të madhe të vendit. Sërish mijëra njerëz u arrestuan, torturuan dhe u zhdukën,ndërsa miliona të tjerë u zhvendosën në zona të tjera brenda vendit ose u kthyen në refugjatë.
Atyre iu premtua ndihmë, por në fakt iu dha vetëm ndihma e ashtuquajtur “jo vdekjeprurëse”, për t’u përballur me bomba fuçi të regjimit të Asadit, Forcës Ajrore Ruse, Hezbollahun dhe milicitë e tjera të mbështetura nga Irani.Ajo që ndodhi në Siri, pati pasoja në vendet fqinje dhe më gjerë.
Edhe kriza e kufirit dhe ngritja e ekstremit të djathtë në BE, kishte lidhje me fluksin e madh të refugjatëve nga Siria. Ndërkohë, edhe Iranit iu dha një licencë për të vrarë dhe një dorë e lirë për të rritur ndikimin në rajon, pasi ndërhyrjet e tij në rajon nuk përmendeshin zyrtarisht, për të mbrojtur negociatat mbi marrëveshjen bërthamore të Planit Gjithëpërfshirës të Veprimit të Përbashkët.
Ashtu si në Irak, sektarizmi dhe radikalizmi u rritën, dhe shërimi i plagëve do të kërkojë breza të tërë. Leksionet nga Pranvera Arabe janë se presioni nuk duhet të zgjasë shumë. Civilët duhet të mbrohen:Ne dështuam t’i mbronim ata në Irak dhe Siri.
Gjithashtu, popullatat nuk duhet të inkurajohen që të rebelohen dhe pastaj të braktisen për t’u masakruar. Ne e bëmë këtë gjë në Irak dhe Siri, dhe do ta paguajmë çmimin për një kohë të gjatë në të ardhmen.
Është gjithashtu një gabim të mbash në pushtet një regjim brutal në emër të stabilitetit, pasi dëmi që shkakton regjimi, krijon më shumë paqëndrueshmëri më vonë. Mësimi më i rëndësishëm që duhet nxënë është gabimi që u bë në Irak në vitin 1991 dhe Siri në vitin 2011:Në vend se t’i ndihmonim njerëzit të hiqnin qafe regjimet, lejuam regjimet që të hiqnin qafe njerëzit.
Burimi i lajmit: https://www.arabnews.com/node/1823906
Përshtatur nga TIRANA TODAY