Prej më shumë se 48 orësh, në zonën e Qafës së Burrelit vijojnë pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e 29-vjeçarit Ardit Beshiri, i cili u zhduk të shtunën teksa punonte me eskavator në një fabrikë përpunimi të kromit. I riu u zuri poshtë një masiv i madh dheu dhe rëre pas çarjes së një rezervuari në objektin industrial.
Sipas burimeve nga vendngjarja, në momentin kritik, Beshiri ndodhej në anën e poshtme të terrenit, ku pritet të ketë qenë më i ekspozuar ndaj përmbytjes së menjëhershme nga uji dhe materiali i akumuluar gjatë procesit të përpunimit të kromit. Deri tani, nuk është gjetur asnjë gjurmë e trupit të tij, ndërsa janë identifikuar vetëm disa pjesë të mjetit eskavator që ai po përdorte.
Në operacionin e kërkimit janë angazhuar forcat e kërkim-shpëtimit të AKSEM-it, forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, banorë të zonës si dhe familjarët e 29-vjeçarit, të cilët apelojnë për shtimin e kapaciteteve dhe burimeve në këtë operacion, duke theksuar vështirësitë që sjell terreni malor dhe prania e madhe e materialit të rrëshqitur.
Autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë një afat për përfundimin e kërkimeve, ndërsa situata mbetet kritike dhe e ndjeshme për familjen e të riut.