Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka kritikuar dorëheqjet e disa funksionarëve nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ahmeti shprehet se këto dorëheqje janë humbje për partinë ku ai bën pjesë:
“Dorëheqjet në VV janë humbje, pa marr parasysh nga cili këndvështrim e sheh. Të gjithë janë të vlefshëm dhe të domosdoshëm për VV që është apo ishte pranë fitores”.
Më tej, Ahmeti ka bërë thirrje për unitet, duke theksuar se nga ndarja të gjithë do të jenë më të dobët.
“Në qoftë se ndodh ndarja do të jenë të gjithë më të dobët, edhe ata që rrinë edhe ata që shkojnë, edhe deputetët edhe kryetarët. Thirrje për të gjithë të ulen bashkë. Mendime ndryshe ka me pas gjithmonë e posaçërisht kur organizata rritet”, është shprehur Ahmeti.
Tashmë, kandidatura e Albin Kurtit për kryetar të partisë mendohet se do të mbetet e vetmja, pas dorëheqjeve të bujshme të ndodhura së fundmi.