E ftuar në edicionin e pasdites në një emision televiziv, gazetarja Alisa Braho komentoi procesin zgjedhor të 11 majit, të cilin e cilësoi si një farsë dhe jo një proces normal. Sipas saj, vetëm në kushte të një procesi të rregullt zgjedhor mund të justifikohen gabimet njerëzore, ndërsa ajo që ndodhi më 11 maj nuk mund të arsyetohet me mangësi të zakonshme teknike apo organizative.
Braho deklaroi se në rastin më të keq të një katastrofe zgjedhore, të cilën sipas saj e dëshmuan të gjithë, pjesë e problemit ishin edhe media dhe shoqëria civile. Ajo theksoi se shoqëria civile nuk ka reaguar si zakonisht dhe është treguar e gatshme të braktisë opozitën në një moment të tillë kritik.
Gazetarja vlerësoi si shumë të rëndësishëm denoncimin që po bën Partia Demokratike, hap pas hapi, të gjithçkaje që KQZ e konsideron si anomali, por që sipas saj janë pjesë e një skeme më të gjerë manipulimi. Ajo theksoi se për çdo qytetar që ndjek zhvillimet politike, është e qartë se nuk kemi të bëjmë me gabime të rastësishme, por me një seri parregullsish që i dhanë avantazh Partisë Socialiste.
Sipas Brahos, ndaj opozitës po zhvillohet një valë e madhe sulmesh, por PD nuk ka pretenduar asnjëherë për numra votash në kuti. Ajo theksoi se nuk bëhet fjalë për ndarje llokmash, siç është mësuar PS të e trajtojë procesin, por për një regjim që, sipas saj, po deformon votën e lirë të shqiptarëve.
“Nëse vota e lirë nuk është e sigurt, atëherë gjithçka është e kotë,” përfundoi Braho, duke e cilësuar këtë si mesazhin që PD po përpiqet të përcjellë përmes narrativës së saj.
Braho:
Gazetare, u shpreh: Nëqoftëse do të kishim pasur një proces normal, pra jo një farsë zgjedhore, ashtu sikurse pretendon edhe partia demokratike e Shqipërisë, do mund që të toleroheshin edhe gabimet njerëzore.
Gabimet njerëzore në këtë rast justifikohen vetëm në një proces normal zgjedhor.
Në një proces si ky, në një katastrofë zgjedhore në rastin më të keq që ne e dëshmuam të gjithë, dhe ishim pjesë e saj fatkeqësisht. Në këtë farsë zgjedhore ishte pjesë e saj edhe media, shoqëria civile.
Ne nuk kemi dëgjuar asgjë nga shoqëria civile, e keni vënë re që janë të parët që reagojnë, por janë edhe të parët për ta braktisur opozitën.
Prandaj është shumë i rëndësishëm ajo që po bën PD, pra denoncimi hap pas hapi i të gjitha atyre që KQZ i konsideron anomali, por që në syrin dhe optikën e një njeriu normal i cili vëzhgon dhe ndjek lajmet e përditshme në Shqipëri dhe shih çfarë ka ndodhur më 11 maj, e kupton se ajo nuk ishte një anomali e rastësishme apo një gabim njerëzor, por një seri anomalisht të cilat i kontribuuan një rezultati në favor të PS, një rezultati jashtë normales.
Ka një valë të madhe sulmesh ndaj opozitës.
Në asnjë moment Partia Demokratike nuk ka thënë dhe nuk ka pretenduar që ne në kuti kemi pasur kaq vota apo aq vota. Nuk flitet pra për ndarje llokmash, sikurse është mësuar PS që ta shikojë procesin zgjedhor, por flitet në fakt për një Shqipëri ku regjimi i Ramës deformon votën e lirë të shqiptarëve.
Mendoj që përmes kësaj PD është duke ndërtuar një narrative ku thotë se nëse vota e lirë nuk është e sigurt, atëherë gjithçka është e kotë.