Deputeti socialist, Erion Braçe e cilësoi gjuhën e sulmeve ndaj SPAK si të denjë për kriminelë.
Gjatë seancës plenare ku pritet të votohet projekt-rezoluta e PS-së për luftën ndaj korrupsionit, Braçe tha se një familje politike dhe biologjike ka vjedhur pasuritë e këtij vendi.
“‘Rruajtja’ e klubit Partizani, rruajtja e Rrugës së Kombit, e cila nuk është gjykuar sot e kësaj dite, dhe në fund rruajtja e fishekëve, predhave, dhe çdo gjëje tjetër, që nuk u hetua dhe nuk u gjykua, sepse kishim të përfshirë atë familjen politike dhe biologjike”, tha Braçe.
Në vijim ai shtoi se vetëm tani po vepron drejtësia, pasi më parë nuk u lejua të hetohej çështja e klubit Partizani. “Korrupsioni nuk luftohet me gojë dhe pastaj mbron të korruptuarit”, tha Braçe, referuar deklaratave të mëparshme të kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, të cilin e cilësoi një deputet të ri në sallën e Kuvendit, kundrejt deputetëve që kanë shumë më tepër mandate dhe kanë denoncuar korrupsionin vite më parë të familjes politike e biologjike, duke pasur parasysh këtu Sali Berishën dhe familjarë të tij.