Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, po promovon një projektligj që do t’i japë kompetenca për të shpallur një Zonë Ekskluzive Ekonomike (ZEE) deri në 200 milje detare nga brigjet e Turqisë, raportoi Bloomberg.
Sipas raportit, partia në pushtet AKP po përgatit legjislacion që do t’i lejojë Erdoganit të pretendojë të drejta turke për peshkim, kërkime energjetike dhe shpime detare, si edhe krijimin e parqeve detare në Egje dhe Mesdheun Lindor.
Raporti thekson se lëvizja e Ankarasë synon t’u përgjigjet pretendimeve të Greqisë dhe Qipros për zonat e pasura me gaz natyror në Mesdheun Lindor.
Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit lejon shtetet bregdetare të shpallin ZEE deri në 200 milje detare, por në rastet e pretendimeve të mbivendosura kërkohen marrëveshje mes palëve. Turqia nuk e ka ratifikuar këtë konventë.
Ankaraja kundërshton që kufijtë detarë të Greqisë të përcaktohen nga ishujt pranë brigjeve turke. Sipas Turqisë, shelfi kontinental duhet të matet nga territori kontinental dhe jo nga ishujt.
Turqia gjithashtu mban qëndrimin se shtetet ishullore, si Qiproja, kanë të drejta vetëm brenda ujërave territoriale deri në 12 milje detare.
Ndërkohë, SHBA-ja ka bërë thirrje që Greqia dhe Turqia të vazhdojnë dialogun për mosmarrëveshjet mbi kërkimet për naftë dhe gaz natyror.
Më herët, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Turqinë me sanksione për aktivitetet e shpimeve në ujërat e kontestuara, pas kërkesave nga Greqia dhe Qiproja.















