Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po shmang paraqitjen në parlament për shkak të “dosjes” së tij.
Gjatë një replike nga foltorja e Kuvendit, Berisha tha se ai vetë është gjithmonë i gatshëm t’u përgjigjet interpelancave, ndërsa akuzoi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij se nuk guxojnë të dalin para shqiptarëve.
Kryedemokrati tha se mazhoranca ka rënë plotësisht dhe po funksionon vetëm në mënyrë formale, ndërsa shtoi se ndaj kryeministrit po zhvillohet një betejë që do të zbardhet më tej.
“Në përgjigje të trillimit që bëri parafolësi që nuk jam paraqitur në seanca, kam pasur një pasion të veçantë për t’iu përgjigjur çdo interpelance që është bërë. Dhe ky pasion nuk ndikohet as nga personi, as nga tematika. Po ju nuk keni faj. Ku e keni Ramën? Ku e keni? Pas Lubisë, ku e keni? A e kuptoni që është bërë gaz? Ku e keni? A e kuptoni se ku jeni katandisur? Nuk guxon me ardhë në parlament. Ai dhe Lubia nuk guxojnë të dalin para shqiptarëve nga ky parlament. Ju keni rënë, ju kot votoni, kot sillni ligje e buxhete, etj. Ju keni marrë fund. Frika e tij ka kufi vetëm qiellin. Po zhvillohet një betejë, do ua deshifroj pak më vonë betejën që po zhvillohet. Po gjë në botë që të mbyllë dosjen e tij nuk ka. Prandaj nuk guxon të vijë t’u përgjigjet interpelancave,” tha Berisha.














