Nga Allison Meakem “brownpoliticalreview.org”/ Verës që shkoi, turistët që vizitonin qytetin bregdetar kroat të Dubrovnikut, u përshëndetën nga një grup që gjendej shumë larg, midis mureve të lashta të fortifikuara, dhe ndërtesave ngjyrë portokalli, që janë bërë sinonim me serialin e famshëm “Game of Thrones”.
Midis shëtitjeve në monumentet historike, vizitorët e panë veten të rrethuar nga një luzmë punonjësish të policisë kineze, që patrullonin rrugëve me kalldrëm të qytetit të vjetër. Personeli i sigurisë, i gjendur aty në kuadër të një përpjekjeje të re bashkëpunimi midis Ministrisë së Brendshme Kroate dhe Ministrisë kineze të Sigurisë Publike, dyshohet se synonte që turistët kinezë të ndienin sigurinë e shtuar personale gjatë udhëtimeve të tyre.
Megjithatë “patrullimi i përbashkët policor”, është vetëm shembulli më i dukshëm i përfshirjes së shtuar kineze në Ballkan. Në një periudhë destabiliteti dhe ndryshimesh të pafundme në Ballkan, rajoni – kryesisht i pambrojtur dhe i prekshëm si një bllok – gjendet në mesin e një beteje hegjemonike midis masave tradicionale të fuqisë së butë të Bashkimit Europian, dhe qasjes së re radikale të Nismës së Brezit dhe Rrugës nga ana e Kinës.
Por, ndërsa programet e ndihmës së Xi Jinping, kanë gjasa të synojnë stabilitetin e Ballkanit, ato në fakt mund të kenë efektin e kundërt, duke reduktuar programet e zhvillimit të BE-së, dhe për rrjedhojë duke i larguar më tej vendet e Ballkanit nga siguria afatgjatë që synojnë ato.
Ballkani është parë prej kohësh si fuçia e barutit në Evropë.
Rajoni përbëhet nga shtete të ish-Jugosllavisë, ndarja e dhunshme e të cilve në vitet 1990,
është ende thellësisht e ngulitur në kujtesën e banorëve të saj. Shtetet e reja që u ngritën nga hiri
dhe dhimbja e viteve 1990 – Kroacia, Sllovenia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova, ekzistojnë në një klimë të paqëndrueshmërisë dhe pabarazisë së
madhe, ku konflikti mund të shpërthejë nga momenti në moment.
Nuk është thjesht kjo mosmarrëveshje e brendshme, që e karakterizon Ballkanin si një rajon me një ndjeshmëri ekstreme. Në rrafshin ndërkombëtar, territori mbetet relativisht i lirë nga rreshtimi gjeopolitik, përveç Sllovenisë dhe Kroacisë që janë anëtare të BE.
Në një botë ku organet shumëkombëshe kanë fituar një rëndësi të jashtëzakonshme, mungesa e vazhdueshme e Ballkanit në këto grupe është edhe sa kurioze… aq edhe joshëse. Kina është mobilizuar për të shfrytëzuar këtë cenueshmëri joshëse, duke u përpjekur të krijojë një sferë të ndikimit në Evropë.
Pas zgjedhjes së Xi Jinping në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste Kineze në vitin 2012, politika e jashtme kineze u largua nga angazhimi global i rezervuar, për një prani gjithnjë e më të theksuar ndërkombëtare, e ilustruar ndoshta më së miri nga Nisma e Brezit dhe Rrugës (BRI) e vitit 2013.
E reklamuar si një mundësi për të ripërtërirë lavdinë e Rrugës së Mëndafshit, BRI siguron ndihmë zhvillimore për mbi 65 vende në mbarë botën. Qasja jokonvencionalisht e drejtpërdrejtë e Kinës, është tërheqëse për shumë vende të frustruara nga pengesat burokraktike, dhe afatet e ngadalta që lidhen me institucionet e ndihmës perëndimore.
Motivet që qëndrojnë pas ekspansionit kinez, nuk janë domosdoshmërisht të këqija. Përkundrazi, janë pasojat praktike të programeve të Kinës, ato që ofrojnë arsye për t’u shqetësuar. Kina e sheh Ballkanin si një portë kyçe për tregjet evropiane, dhe shpreson të blejë miq midis vendeve që në fund mund t’i bashkohen BE-së.
Në sipërfaqe, investimet e saj në biznes dhe infrastrukturë, u ofrojnë ndihmë vendeve në nevojë. Por, duke gërmuar pak më thellë, këto programe paraqesin në fakt një sfidë për zhvillimin afatgjatë dhe stabilitetin e rajonit. BRI ndryshon nga projektet e ndihmës perëndimore, në atë që ofrojnë programe infrastrukturore të shpejta dhe të prekshme, pa ndonjë politikë të shprehur qartë.
Qasja jokonvencionalisht e drejtpërdrejtë e Kinës, është tërheqëse për shumë vende të frustruara nga pengesat burokraktike, dhe afatet e ngadalta që lidhen me institucionet e ndihmës perëndimore. Gjatë disa viteve të fundit, Kina ka kanalizuar mbi 10 miliardë dollarë në promovimin e projekteve të infrastrukturës në të gjithë rajonin e Ballkanit.
Nga urat që lidhin vijën bregdetare të Kroacisë, tek një rikonstruksion ambicioz i autostradave
të Malit të Zi, industria kineze mori përsipër projektet e hedhura poshtë si shumë ambicioze, nga donatorët perëndimorë dhe qeveritë e brendshme. Megjithatë, zbatimi i këtyre projekteve nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të keqe.
Prania e ndihmës kineze së palidhur me ndonjë kusht, zbeh çdo nxitje për të zbatuar reforma stabilizuese, që do t’i hapnin rrugën e anëtarësimin e ardhshëm në BE. Dhe shumë nga programet e Kinës, shkelin standardet rregullatore të BE-së. Ndërtimi nga Kina i centraleve me qymyr në mbarë rajonin, bie drejtpërsëdrejti ndesh me përpjekjet e BE për të reduktuar emetimet e karbonit në atmosferë.
Një plan kinez, për të ndërtuar një hekurudhë midis Beogradit dhe Budapestit, u pezullua për shkak të kundërshtimeve me rregulloreve e infrastrukturës së BE. Përveç shkeljeve të shumta rregullatore, vendet e Ballkanit kanë hyrë gjithnjë e më shumë në borxhe tek kompanitë kineze.
Borxhi i përllogaritur në projektet e infrastrukturës kineze, mund të jetë i mjaftueshëm për të penguar çfarëdolloj shprese, për të qenë ndonjëherë në krahët e Brukselit.
Ndërkohë, në shkurtin e 2018-ës, Komisioni Evropian bëri publik një plan gjithëpërfshirës që synonte arritjen e pranimit në BE të Serbisë dhe Malit të Zi deri në vitin 2025, së bashku me planet më të gjera për integrimin afatgjatë të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, për të arritur anëtarësimin në BE, vendet duhet të plotësojnë një listë shteruese të standardeve ekonomike dhe politike, gjë që po provohet e vështirë për shtetet e Ballkanit. Dhe këtu qëndron problemi:Përderisa këto standarte duken të larta dhe të paarritshme, vendet e Ballkanit do të vazhdojnë të zgjedhin ndihmën e lehtë, në vend të reformave afatgjata.
Për shembull, qeveria serbe, që po përballet me stanjacionin ekonomik dhe një paqëndrueshmëri sociale, e di se nuk do t’i plotësojë shpejt kërkesat për anëtarësim në BE. Vendi ka çdo arsye të heqë dorë nga procesi i vështirë i përafrimit të politikave të saj me BE-në, në favor të ndihmës së menjëhershme kineze.
Që shtetet e Ballkanit po preferojnë zgjidhjet afatshkurtra, kjo nuk është befasuese, duke pasur parasysh historinë e tyre të zymtë, që është plot me ndalesa afatshkurtra. Megjithatë, anëtarësimi në BE i vendeve të Ballkanit, mund të mos jetë edhe aq i largët. Por është e vështirë, që rajoni të mos joshet ng ofertat e reja.
Topi është tani në fushën e BE-së:Për të shpëtuar axhendën e tij reformiste, Brukseli duhet të hedhë disa hapa për ta paraqitur ndihmën perëndimore, dhe së fundi anëtarësimin në BE, si një opsion të mundshëm dhe të menjëhershëm. Kjo mund të bëhet duke mobilizuar burimet financiare, dhe duke shpejtuar afatin kohor për miratimin e projektit.
Aktualisht, ka një vonesë prej rreth 1 viti ndërmjet marrëveshjes dhe zbatimit në projektet e BE-së. Kjo vonesë, nxit kthimin e ndihmës kineze, e cila është shumë e shpejtë krahasuar me atë evropiane. Megjithatë, BE-ja duhet të theksojë se fondet e saj për infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik, në një periudhë afatgjatë do të zbehin ndikimin e Kinës në rajon. BE siguron grante; Kina jep vetëm kredi. Për më tepër, BE-ja duhet të komunikojë qartë se pranimi i Ballkanit është një qëllim në të cilin Brukseli është vërtet i angazhuar, dhe një investim nga i cili do të përfitojnë të gjitha palët.
Tek e fundit, si BE ashtu edhe Kina, e kanë stabilitetin e Ballkanit një qëllim të përbashkët. Është në interesin më të mirë të Kinës, t’i përmbahet standardeve rregullatore të BE-së, pasi suksesi i investimeve kineze në Ballkan, është i kushtëzuar nga stabiliteti që mund t’i sigurojë anëtarësimi në BE.
Por theksi i Kinës tek efiçenca, e zvogëlon përqendrimin e BE tek qëndrueshmëria, duke minuar në mënyrë paradoksale interesat e veta. Prandaj, është e domosdoshme që BE-ja të qartësojë rrugën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të nxisë reformat që mund t’i lejojnë rajonit, të arrijë ekuilibrin e kërkuar prej kohësh. Përashtati për Tirana Today, Alket Goce