Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar, i është përgjigjur kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari. Ky i fundit, dje kërkoi të shpërbëhet Këshilli Komunal dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Në një reagim në Facebook, Këshilli i Komunës së Gostivarit shkruan:
“Në prononcimin e radhës kontradiktor, kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari bëri thirrje për të shpërbërë Këshillin Komunal dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Konsiderojmë që kjo thirrje është demagogji dhe aspak e bazuar në nevojat reale për funksionimin e Pushtetit Lokal në Gostivar.
Këshilli i Komunës së Gostivarit ka shumicë të konsoliduar dhe funksionon konform ligjeve në fuqi, statutit dhe vlerave të afirmuara demokratike.
Nëse Arben Taravari ka probleme me drejtimin e Komunës së Gostivarit, ka një zgjidhje që ia ofrojmë. Le të japë dorëheqjen dhe le të shkojmë në zgjedhje të parakohshme për Kryetar komune. Vetëm në këtë mënyrë do të mund që Komuna e Gostivarit t’i shmanget paralizimit total dhe paaftësisë për të qeverisur në dobi të qytetit dhe qytetarëve të Gostivarit. Alternativë tjetër nuk ka”, thuhet në përfundim të reagimit.
I pyetur se cilat do të ishin pasojat e mosmiratimit të buxhetit, kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari tha se nëse nuk vihet si pikë e rendit të ditës në afatin kohor të përcaktuar ligjërisht, ndërsa propozimi për buxhetin është dorëzuar në kohën e duhur, “unë si kryetar komune jam i detyruar ta informoj Ministrinë e Financave dhe të kërkoj financim të përkohshëm në lartësi prej një të tretat e buxhetit për vitin 2017, siç është përcaktuar me ligj”.
“Do të presim deri të premten, të paktën të vihet në rend dite. Pastaj do ta shqyrtojmë mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve lokale, nëse buxheti nuk kalon. Sepse kjo është një nga mundësitë për shpërndarjen e këshillit, nga shkaku se në një rast të tillë nuk mundemi as të funksionojmë si komunë”, tha Taravari.