Bayern Munich e ka të vështirë të fitojë në Berlin, barazimi i sotëm ishte i treti radhazi mes tyre dhe Herthës. Bavarezët ishin dominues për 90’ minuta, por shpërdorojnë shumë raste dhe në fund kënaqen vetëm me një pikë. Kjo ishte hera e tretë që bavarezët barazojnë ndaj kryeqytetasve.
Bayern ka menjëherë shansin për të kaluar në avantazh por goditja me kokë e Lewandowski-t pritet nga portieri kundërshtar. Ishte sërish sulmuesi polak ai që shpërdori një tjetër mundësi të mirë teksa u ndodh vetëm për vetëm me portierin por nuk e shfrytëzon siç duhet.
Në fund të pjesës së parë Robben dhe Ribery kombinojnë në zonën kundërshtare por edhe francezi tregohet i pasaktë. Pas pushimit ishte e njëjta histori, por mundësitë e shumta nuk u shfrytëzuan dhe si pasojë rekordmenët gjermanë duhet të kënaqen me një pikë.