Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka ripostuar një pjesë të Podcastit të zhvilluar në Prekaz, nga Kulla e Jasharëve, ku ka rrëfyer bisedën me ish-presidentin amerikan George Bush, gjatë kohës kur po punohej për pavarësinë e Kosovës.
Basha ka treguar se si presidenti amerikan e njohu palën shqiptare mbi qëndrimin që SHBA do të mbanin për pavarësinë e Kosovës, si dhe batutën e presidentit Bush, i cili e shihte veten dhe presidentin rus Putin, në një ballafaqim të ngjashëm me atë të kaubojsave.
“Ardhja e Bush-it në Tiranë, në 10 qershor të 2007, ishte një ngjarje e përmasave historike. Sepse erdhi me dy lajmë të mëdha, përfundimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe kumti i famshëm “koha është tani” për pavarësinë e Kosovës. Ka qenë një takim i mbushur me emocione të jashtëzakonshme. Në takimin dypalësh me delegacionet, mbaj mend nervozizmin në kufijtë e ankthit të disa anëtarëve të delegacionit, kryesisht të krahut të Departamentit të Shtetit dhe aparatit të sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, sepse Bushi ishte jashtëzakonisht i lirshëm në komunikim.
Gjëja e parë që tha është “shiko kjo puna e pavarësisë së Kosovës është zgjatur shumë, unë mendoj ta bëjmë tani, si thua, ta bëjmë tani?!”.
Dhe pashë që u tendosën anëtarët e delegacionit, në veçanti këta të diplomacisë, sepse ishte një proces koordinimi. Tani, nëse Bush e kishte këtë një formë kortezie për të treguar nga njëra anë që Amerika e ka ndarë mendjen dhe që priste atë që tha, që duhet koordinuar me BE-në apo jo, këtë nuk do ta marrim vesh ndonjëherë.
Por fakti është që në atë moment ne ishim të gjithë të çliruar, të gjithë me flatra. Dhe në këtë moment u çlirua edhe ana tjetër e delegacionit amerikan, sepse u kuptua që do të kishte një trajektore koordinimi, siç edhe ata dëshironin.
Në një moment thotë “me Rusinë kjo punë ka për të vazhduar kështu siç ka nisur”, dhe përdori këtë shprehje, “se unë dhe Vladi (e kishte fjalën për Putinin), po shikohemi sy më sy për këtë punën e Kosovës”, si dy kaubojsa tha, dhe po shikojmë se kush është ai që po tërheq i pari pistoletën. Pastaj bëri një lëvizje dore dhe tha “I’m a quick shot” (jam qitës më i shpejtë), qeshëm të gjithë, ishte një moment relaksues por edhe përmbushës. “I’m a quick shot”, domethënë s’ma hedh dot. Gjysmë ore më vonë doli tha “Time is now” (koha është tani)” – tha Basha.