Teksa PS vendosi të rrëzojë SPAK duke mos i dhënë autorizimin për arrestimin e Ballukut, reagon Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
REAGIMI
MË NË FUND DEL HAPUR: I KORRUPTUARI MBRON TË KORRUPTUARIT! MË NË FUND, ZYRTARISHT PENG!
Vendimi i “Gjykatës Supreme të Republikës – PS” për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut konfirmon atë që kemi thënë që në ditën e parë: Edi Rama është peng i Belinda Ballukut. I kapur në kurthin e korrupsionit që ka ndërtuar vetë, Edi Rama nuk është një kryeministër i lirë për të marrë vendime në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Përndryshe, nuk do të ishte i detyruar që, pas 10 vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, të hiqte maskën propagandistike të reformatorit, duke u kthyer në pengesën madhore të drejtësisë!
SPAK-u ka paraqitur prova për 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro, si dhe prova për presion ndaj dëshmitarëve përmes të fortëve dhe parave. Në çdo demokraci normale, Parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë. Por sot pamë diçka tjetër: jo vetëm Kryeministri është peng, por edhe Parlamenti po mbahet peng për të mbrojtur sistemin e korrupsionit, me arkitekt Edi Ramën dhe zbatuese Belinda Ballukun e shumë të tjerë si ajo.
Kjo nuk është më vetëm një çështje e brendshme politike. Ky ishte një test kritik për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian. Europa kërkon sundim ligji dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta, por Edi Rama zgjodhi korrupsionin dhe, pengimin e drejtësisë! Kur drejtësia bllokohet për të mbrojtur pushtetin, peng bëhet edhe integrimi europian.
Me qendrimin e Edi Ramës pro Belindës (korrupsionit), kundër drejtësisë (integrimit), konfirmohet e zeza mbi të bardhë: vendi qeveriset nga një kryeministër peng i një të pandehure të SPAK-ut.
Kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala u mbetet qytetarëve. Më 12 mars, para Parlamentit, shqiptarët do t’i tregojnë Edi Ramës se Shqipëria nuk është peng i askujt.















