Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, mungoi në seancën plenare të së enjtes, në një kohë kur opozita kishte kërkuar interpelancë urgjente për hetimin e SPAK mbi tenderin e tunelit të Llogarasë — një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të qeverisë “Rama” me vlerë 18.9 miliardë lekë. Ndërkohë që në sallën e Kuvendit diskutohej për emrin e saj, Balluku publikoi në rrjetet sociale foto e video nga një inspektim në nënstacionin elektrik “Tirana 2”.
Balluku është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, por vijon të mbajë detyrën e saj në kabinetin qeveritar. Socialistët rrëzuan me votë kërkesën për interpelancë, duke argumentuar se nuk mund të ndërhyjnë në një çështje që është objekt hetimi nga drejtësia.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e justifikoi vendimin me nevojën për të ruajtur balancën ndërmjet pushteteve. “Kushtetuta përcakton se interpelancat nuk duhet të cenojnë pavarësinë e pushteteve të tjera apo të ndikojnë në proceset hetimore apo gjyqësore”, deklaroi Peleshi.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, e akuzoi shumicën socialiste se po mbron një të pandehur nga drejtësia. Në mënyrë simbolike, ai shfaqi në Kuvend një palë pranga dhe kërkoi që Balluku të paraqitej për të dhënë llogari. “Përgjimet tregojnë fytyrën e shëmtuar të pushtetit, njerëz që flasin me gjuhë rrugësh dhe bëjnë pazare me paratë e qytetarëve”, tha Balliu.
Edhe deputetja Ina Zhupa kërkoi që Balluku të dilte para shqiptarëve. “Ku është zv.kryeministrja e Shqipërisë? T’u thotë qytetarëve se ku janë paratë e tyre”, deklaroi ajo. Ndërsa Erald Kapri, deputet i partisë Mundësia, shtoi se “halli dihet, sepse nëse Balluku vjen, pyetja e parë do të jetë kush është personi që e kërcënon atë?”, duke iu referuar përgjimeve të publikuara në dosjen e SPAK.
Kryeministri Edi Rama ka shmangur deri tani çdo koment mbi këtë çështje dhe nuk ka dhënë përgjigje nëse do ta shkarkojë Ballukun nga detyra për t’u përballur me drejtësinë, ndonëse më herët ka vepruar ndryshe me ministra të tjerë nën hetim.
Sipas dosjes hetimore, mesazhet e sekuestruara nga aplikacioni “Signal” tregojnë se Balluku ka ndjekur hap pas hapi procedurën e tenderit të tunelit të Llogarasë, duke ndikuar në përzgjedhjen e kompanisë fituese në shkelje të kritereve ligjore të konkurrencës.















