Ashtu sikundër ishte folur, Elona Lalaj do të drejtojë Policinë Bashkiake të Tiranës. Pak javë më parë, u shkarkua nga detyra drejtuesi i kësaj strukture Toni Beni, i cili njihej si pranë kryebashkiakut Erion Veliaj. Pas arrestimit të tij nisën përplasjet dhe Rama u hodh në sulm për të vënë nën kontroll bashkinë, nga frika se punonjësit nuk do të votojnë PS më 11 maj. Fillimisht u larguan nga detyra dy prej besnikëve të kryetarit, Sara Goxhaj dhe Alban Dokushi, teksa në krye të bashkisë u komandua Anuela Ristani. Më pas u largua kreu i bashkisë dhe sot është emëruar Elona Lalaj, e cila vjen nga radhët e rendit. “Sot, në ambientet e Policisë Bashkiake të Tiranës, Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, znj. Anuela Ristani, pati nderin të prezantojë Drejtoreshën e re të Përgjithshme të Policisë Bashkiake, znj. Elona Lalaj.
Znj. Lalaj merr këtë detyrë pas një karriere të suksesshme në radhët e Policisë së Shtetit dhe sjell me vete një eksperiencë të madhe dhe një angazhim të jashtëzakonshëm për forcimin e rendit dhe sigurisë në kryeqytet, por mbi të gjitha ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për qytetarët. I urojmë suksese në këtë përgjegjësi të re dhe presim përmirësime të mëtejshme në shërbimet dhe dinamikën e punës së Policisë Bashkiake në shërbim të qytetarëve”, njoftoi dje Policia Bashkiake. Por ndërkohë ka zëra se emërimi i zonjës Elona Lalaj është bërë me urdhër të zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila njihet si “armike” e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pra Balluku duke qenë se është drejtuese politike e Partisë Socialiste në Qarkun e Fierit, ka ndikuar në emërimin e saj, duke e hequr zonjën Lalaj nga Fieri për në Tiranë.