James Jay Carafano*
Interesi amerikan në Ballkan është bërë gjithnjë e më i zbehtë. Është koha që ai të rindizet sërish. Ballkani ka qenë në qendër të interesit amerikan, që nga fundi i epokës Clinton. Investimi i njëfarë vëmendjeje, dhe ushtrimi i ndikimit në rajon, duhet të jetë më shumë se sa një çështje e nivelit të dytë, në axhendën e politikës së jashtme të administratës.
Pakkush do të argumentonte se paqja dhe stabiliteti i Evropës Perëndimore, nuk duhet të jetë një interes jetik i Shteteve të Bashkuara. Kërcënimi më i madh i jashtëm ndaj Evropës është Putini. Ballkani është një shesh lojërash për aktorët e këqij – dhe me gjasë, do të jetë një prioritet në rritje për ta. Frenimi i këtyre aventurave para se të dalin jashtë kontrollit, thjesht ka shumë kuptim.
Në hijen e Kremlinit
Rusia ka ndërhyrë gjerësisht në Evropë, dhe qëndrimi i Moskës ndaj Shteteve të Bashkuara është “bërë hapur luftarak”. Thënë këtë, Putini zotëron mundësi të kufizuara për të provokuar më tej Perëndimin. Kjo e bën Ballkanin një objektiv të mundshëm për ndërhyrjen ruse. Ukraina është një konflikt aktiv dhe me efekte të mëdha negative, por është në disa aspekte i ngrirë.
Putini nuk ka arritur t’i qëndrojë angazhimeve të tij, sipas Marrëveshjes së Minskut, dhe ka perspektiva të pakta që marrëveshja e vitit 2015 e quajtur shpesh ‘Minsk II’, do të sjellë paqe. Sigurisht kjo nuk e përjashton përshkallëzimin e konfliktit. Megjithatë, aktualisht ‘Minsk II’ është gjithçka që gjendet në tryezë. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, kanë sinjalizuar qartazi se, ndërsa sanksionet mbi Rusinë të lidhura me zbatimin e marrëveshjes do të rishikohen periodikisht, perspektivat afatshkurtra për lehtësimin e tyre të sanksioneve janë zero.
Në të njëjtën kohë, zyrtarët amerikanë kanë sinjalizuar mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën. Në muajin shkurt, presidenti Trump i deklaroi një deputeti të njohur ukrainas se Shtetet e Bashkuara nuk do të nxisnin heqjen e sanksioneve në një kohë të afërt. Vetëm një javë më vonë, Trump shprehu hapur mbështetjen për Ukrainën, përmes një letre drejtuar presidentit të Lituanisë.
Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, ka bërë premtime të ngjashme. Një studim i kohëve të fundit, nga ana e disa ekspertëve, ka mbërritur në përfundimin se “dy muaj nga fillimi i presidencës… administrata Trump është duke folur ashpër dhe ka pasur një qasje diplomatike të ngjashme me ato të parardhësit të tij, Barack Obama”.
Këto zhvillime i lënë pak hapësirë Kremlinit që të rrisë presionin e tij ndaj Ukrainës, pa u armiqësuar edhe më tej si me evropianët, ashtu edhe amerikanët. As perspektivat e Putinit në Balltik nuk duken më brilante. Aktiviteti rus – nga dislokimet ushtarake në Bjellorusi, shantazhi energjetik, dredhitë kibernetike, tek fushatat agresive të dezinformimit – e kanë alarmuar tej mase rajonin.
Në fakt, diskutimet mbi ndërhyrjet ushtarake të Moskës, kanë arritur nivele të pakrahasueshme, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. “Rusia ka zhvilluar aftësinë për të filluar një sulm mbi shtetet balltike në më pak se 24 orë nga lajmërimi” – vlerësonte së fundmi një raport i shërbimeve inteligjente lituaneze. Ky paralajmërim shqetësues, përputhet me një raport nga think-tanku RAND, që arrin në përfundimin se Rusia mund të pushtojë shumicën e shteteve balltike brenda disa ditësh, madje edhe me ndërhyrjen e NATO-s.
Nga ana tjetër, komuniteti transatlantik është përgjigjur me siguri se nuk do të lejojë trazira më të mëdha të Rusisë në rajon. Kombet nordike e kanë bërë të qartë, se i konsiderojnë vendet baltike të tyre, si pragun e derës së tyre të sigurisë. NATO ka shtuar dislokimet dhe stërvitjet ushtarake në rajon, dhe zgjeruar misionin e saj të policimit të hapësirës ajrore të Balltikut.
Ndërkohë, rajoni vazhdon të bëjë përpjekje thelbësore për të reduktuar varësinë e tij energjitike nga Rusia. Qendra e Ekselencës së NATO-s mbi sigurinë energjitike ndodhet në Lituani. Ndërkohë, Qendra e Ekselencës për komunikime strategjike, e përqendruar kryesisht tek dezinformimet, e ka selinë në Letoni. Ndërsa në Estoni, gjendet qendra e NATO-s mbi sigurinë kibernetike.
Me pak fjalë, Rusia ka tërhequr vëmendjen dhe mbështetjen ndaj shteteve baltike, dhe kjo shton rrezikun për veprime të mëtejshme kundër Putinit. Perspektivat e tij në Gjeorgji janë të pasigurta. Nëntë vjet pas luftës ruso-gjeorgjiane, Moska zotëron ende në mënyrë të paligjshme 20 për qind të territorit të Gjeorgjisë, me rajonet e pushtuara të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut që janë duke u integruar gradualisht në Federatën ruse.
Por, me gjithë përpjekjet e Moskës për të ngadalësuar integrimin e Gjeorgjisë në bashkësinë euro-atlantike, Gjeorgjia ka shënuar një progres të mirë. Tbilisi ka një marrëdhënie të ngushtë me NATO-n, është zyrtarisht një vend kandidat, dhe iu njoh së fundmi e drejta që qytetarët e saj të udhëtojnë pa viza në BE.
Destabilizimi i Evropës përmes Lindjes së Mesme, duket gjithashtu se ka më pak gjasa të ndodhë. Edhe pse Rusia ka vënë vulën e vet të madhe ushtarake në Siri, është e vështirë të shihet se si Putini mund të zgjerojë me tej praninë e tij në rajon. Madje, ndërsa rusët kanë qenë më protagonistë në Libi kohët e fundit, këto përpjekje ngjajnë më shumë si dëshmi dobësie se sa çdo gjë tjetër.
Problemi për Putinin, është se politika e ardhshme amerikane në Lindjen e Mesme, nuk është në kërkim të ndonjë gjëje të ngjashme me atë që kemi parë në 8 vitet e fundit. Në vend të tërhiqen, Shtetet e Bashkuara duket se janë duke u riangazhuar sërish në forcimin e një koalicioni anti-Iran, dhe duke bërë përpjekje më të fuqishme për të trajtuar ekstremizmin në rajon. Ndërsa SHBA-ja do të rikonfirmohet si një lojtare dominante në Lindjen e Mesme, vendi i Putinit do të tkurret.
Beteja për Ballkanin
Nëse Putini do të zgjedhë të ndjekë rrugën e rezistencës më të vogël, atëherë Ballkani ngjan si basti i tij më të mirë. Ky i fundit përmban një numër vendesh, të cilat ai mund t’i shndërrojë në pika të nxehta problematike. Këto janë disa nga shqetësimet kryesore:
- Ngërçi në aksin Serbi-Kroaci-Kosovë. Të flitet për një garë armatimi në miniaturë mund të jetë diçka e ekzagjeruar, por s’ka asnjë dyshim se tensionet janë rritur. Serbia njoftoi kohët e fundit se do të marrë helikopterë ushtarakë shtesë nga Rusia. Kosova ka kërcënuar me ngritjen e ushtrisë së vet. Dhe gati 5 mijë trupa të NATO-s, gjenden të dislokuara në mesin e kësaj situate.
- Rrëmuja në Maqedoni. Ndërhyrja ruse, korrupsioni, grindjet me Shqipërinë dhe një reagim konfuz i SHBA, kanë krijuar një koktejl toksik. Moska duket se synon t’i përdorë trazirat për të distancuar vendin e vogël nga Perëndimi.
- Përballja në Bosnje-Hercegovinë. Një lëvizje separatiste në Republikën Srpska, kërcënon të rindezë ndarjet etnike, të krijuara në vitin 1995 nga Marrëveshja e Paqes në Dejton. Putin duket i lumtur të hedhë benzinë mbi zjarrin që digjet në vetvete.
- Tensioni në Detin e Zi. Putini do të donte ta shndërronte Detin i Zi në një Liqen Rus.
Është koha që Amerika të nisë lojën e saj
Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund ndërhyrjeve ruse në shumë fronte. Në disa fusha të rëndësishme, administrata e re ka dëshmuar tashmë vendosmërinë e saj për të mbrojtur interesat jetike të SHBA-së, duke përfshirë mbrojtjen e komunitetit transatlantik. Por, Ballkani mbetet një pikë e dobët në politikën transatlantike amerikane.
Ne duhet të jemi më proaktivë atje dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Ekzistojnë një numër vendesh, ku Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin praninë e saj. Megjithatë, në vend të një përplasje ballore, ajo çka mund të bëjë SHBA-ja është të ndalojë përpjekjet dashakeqe të Putinit përmes përqëndrimit vetjak në rajon, në vend të sjelljes së keqe të Kremlinit.
- Përmirësimi i Qeverisjes dhe Reduktimi i Korrupsionit. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, mund të bëhen bashkë për të forcuar përpjekjet për ndërtimin e institucioneve më të forta publike dhe private, më demokratike, efektive dhe elastike në rajon.
- Promovimi i Lirisë Ekonomike. Asnjë pjesë e Evropës Perëndimore nuk gjendjet në ndonjë nevojë të madhe për përmirësim të situatës ekonomike. Ndërkohë që, disa vende të Ballkanit, mbeten në klasë në raport me treguesit kryesorë të lirisë ekonomike. Reformat e politikave në këto fusha, mund të nxisin një rritje të shpejtë ekonomike.
- Luftimi i Krimit Transnacional. Trafikimi i qenieve njerëzore, drogës, pastrimit të parave dhe formave të tjera të organizuara të krimit transnacional, janë të shumëpërhapura në Ballkan. Ky aktivitet është shumë destabilizues dhe ka nevojë të trajtohet.
- Parandalimi i Terrorizmit Transnacional. Ekstremistët islamikë i kanë hedhur sytë edhe në këtë rajon. Policia italiane shkatërroi së fundmi një celulë terroriste islamike që përfshinte një kosovar. Disa qindra individë nga rajoni, kanë luftuar si xhihadistë në Irak dhe Siri. Bashkëpunimi me operacionet antiterroriste të vendeve të Ballkanit, lipset të bëhet diçka e zakonshme.
- Nxitja e Bashkëpunimit Rajonal. Shtetet e Bashkuara duhet të nxisin dhe promovojnë iniciativën “Adriatik Five”, që përfshin Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Maqedoninë. Iniciativa të tilla ndërtojnë besim dhe solidaritet rajonal. Kjo do të zvogëlojë fërkimet rajonale dhe ndihmojë në sabotimin e strategjisë ruse “përça dhe domino”.
- Mbështetja e Diversifikimit Energjitik. Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin Gazsjellësin Trans-Adriatik dhe projekte të tjera, të cilat ndihmojnë në diversifikimin e burimeve evropiane të furnizimit me energji, si dhe promovimin e tregjeve më liberale të energjisë.
- Menaxhimi i Lëvizjes së Refugjatëve dhe Emigrantëve. Emigrimi masiv i pakontrolluar, përbën një kërcënim serioz dhe potencialisht destabilizues në rajon, sikurse ndodh edhe me Evropën si një e tërë. Bashkësia transatlantike duhet të bashkëpunojë në partneritet, për të adresuar shqetësimet humanitare në Lindjen e Mesme dhe reduktuar konfliktet destabilizuese, si dhe lëvizjen ilegale të emigrantëve që ushqejnë fluksin nga jugu në veri.
Ndërmjet indiferencës dhe ndërhyrjes ushtarake, qëndron një hapësirë konstruktive, ku Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë shumë me një sasi të vogël përpjekjesh. Hedhja e hapave në atë hapësirë, për të penguar përpjekjet ruse në destabilizimin e Evropës Perëndimore, duhet të jetë një prioritet kryesor i SHBA-së.
“National Interest”
Përshtati për Tirana Today/Alket Goce
*James Jay Carafano është zv.presidenti i “Heritage Foundation”, në një kohë që drejton programe në think-tank të ndryshëm mbi marrëdhëniet e jashtme dhe çështjet e sigurisë kombëtare.