Koordinatori i Partisë Demokratike për Tiranën, Klevis Balliu, ka sulmuar qeverinë dhe zv.kryeministren Belinda Balluku gjatë një fjalimi në mitingun e opozitës të mbajtur në zonën e Astirit.
Balliu përdori tone ironike ndaj pamjes së zv.kryeministres duke thënë se qeveria gjen para për të “transformuar Ballukun”, ndërsa nuk ofron ndihmë për kategoritë në nevojë. Ai akuzoi ekzekutivin për shpërdorim fondesh dhe vuri në dyshim prioritetet e përdorimit të buxhetit publik.
“Kur ka para për të transformuar Ballukun pse nuk ka para për Shqipërinë? Kur ka para për inceneratorin pse nuk ka para për pensionistët, për njerëzit me ndihmë ekonomike?”, u shpreh Balliu para qytetarëve të mbledhur.
Duke e cilësuar Shqipërinë si një vend me “probleme serioze”, Balliu theksoi se sipas tij vendi ka nevojë për “njerëz serioz” në drejtim dhe përmendi si shembull liderin historik të PD-së, Sali Berisha.
“I vetmi serioz në politikën shqiptare është prof. dr. Sali Berisha. Ne vijmë me zgjidhje, ata me tallava. Për të mbrojtur pronën tuaj, të drejtat tuaja, votoni 1, votoni Aleancën për Shqipërinë Madhështore,” përfundoi Balliu.