Të hënën e datës 13 tetor, në Kuvend do të diskutohet për një nga pozicionet më të rëndësishme institucionale në vend, Avokatin e Popullit. Kjo çështje ka mbetur pezull prej më shumë se tre vitesh, pasi mandati i Erinda Ballancës përfundoi zyrtarisht në maj të vitit 2022, por pavarësisht kësaj është detyruar të mbetet në detyrë pasi Kuvendi nuk po i gjen dot një zëvendësues.
Sjellim ndërmend se Erinda Ballanca u zgjodh në detyrë si Avokate e Popullit me datë 22 maj 2017, me një mandat 5-vjeçar, në bazë të vendimit të Kuvendit nr. 70/2017, pas marrëveshjes së famshme Rama-Basha. Megjithëse mandati i saj ka përfunduar, ajo vijon të ushtrojë detyrën deri në zgjedhjen e pasardhësit, siç parashikohet nga ligji.
Në legjislaturën e kaluar, pati disa tentativa për të gjetur një emër konsensual mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, por këto përpjekje dështuan. Kushti i 84 votave të nevojshme për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, si dhe praktika e konsoliduar që ky post t’i besohet një kandidati të propozuar nga opozita, rezultuan pengesë për arritjen e një marrëveshjeje.
Tashmë, pas një kohe të gjatë pa lëvizje në këtë drejtim, Kuvendi duket se po rikthehet seriozisht për të gjetur një zëvendësues për Ballancën, pasi të hënën, në orën 17:00 Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike do të diskutojë pikërisht për shpalljen e kësaj vakance, duke ftuar të gjithë të interesuarit të aplikojnë pranë Parlamentit për pozicionin.
Këtë radhë, me 83 vota të garantuara në Kuvend dhe mbështetjen e mundshme të tre mandateve të Partisë Socialdemokrate (PSD), Partia Socialiste është teorikisht në gjendje të zgjedhë një Avokat të Popullit edhe pa dakordësinë e opozitës.