Fotografi Leon Çika ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare pas një infarkti, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në artin shqiptar.
Ai vuante nga probleme të zemrës dhe diabeti, por ka mbetur i angazhuar në jetën artistike deri në momentet e fundit, duke punuar së fundmi në të njëjtën studio me piktorin Adrian Devolli. Çika ka qenë gjithashtu fotoreporter për agjencinë Reuters në Tiranë.
I lindur në vitin 1954, Çika u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në vitin 1976, në degën grafikë – dizajn. Pas diplomimit, ai filloi të punonte si piktor skenograf në Pallatin e Kulturës në Gramsh dhe më pas vazhdoi punën e tij artistike në afresket dhe gravurat e muzeut historik “Gjergj Kastrioti” në Krujë. Gjatë karrierës, ai ka drejtuar departamentet e fotografisë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Muzeun “Enver Hoxha”.
Pas viteve ’90, ai ka pasur një karrierë të suksesshme si pedagog, reporter dhe producent. Çika ka realizuar ekspozita personale dhe kolektive, duke përfshirë ekspozita mbi turizmin në Shqipëri. Ai është vlerësuar me çmime të ndryshme, duke përfshirë çmimin “Naim Frashëri” dhe çmime për artin fotografik nga Ministria e Kulturës.
Leon Çika do të mbahet mend për punën e tij të shquar në fushën e fotografisë dhe pikturës, duke kontribuar në pasurimin e artit dhe kulturës shqiptare.