Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 10 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
-Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit L. S., 29 vjeç, banues në Ersekë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin I. I., 51 vjeç, banues në Pogradec, pasi në aksin rrugor “Qafë Thanë-Pogradec”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që ky shtetas drejtonte, u gjet një sasi me pije alkoolike (verë) dhe një sasi me pesticide kimike që përdoren për produktet bujqësore, të cilat dyshohet se 51-vjeçari i ka kaluar nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë, duke shmangur kontrollin doganor. Sasia e mallrave të dyshuar dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
-Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit B. K., 47 vjeç dhe D. K., 52 vjeç, banues në Tiranë, pasi në dalje të qytetit të Pogradecit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të automjeteve që secili nga këta shtetas drejtonte, gjetën sasi me produkte të ndryshme pastrimi, pa faturat tatimore, të cilat së bashku me automjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit:
F. M., 66 vjeçe, banuese në Pogradec, pasi dyshohet se për një periudhë 3-vjeçare, i ka marrë një 63-vjeçareje, 3 000 euro, duke e mashtruar;
Sh. E., 49 vjeç, banues në fshatin Bishnicë, Pogradec, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë dhe ka fyer një 16-vjeçare, në fshat;
Sh. H., 62 vjeçe, banuese në fshatin Starovë, Pogradec, pasi dyshohet se në ambientet e një institucioni në Pogradec, me vetëgjyqësi, ka futur disa sende dhe orendi shtëpiake, me pretendimin se është pronë e vjetër e familjarëve të saj.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për një 15-vjeçar, banues në Pogradec, pasi në gjimnazin ku ky shtetas është nxënës, gjatë kontrollit fizik të kryer nga oficeri i sigurisë së shkollës, iu gjet një mjet prerës (thikë), i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për tre shtetas të mitur, 14 dhe 15-vjeçarë, banues në fshatin Pojan, Maliq, pasi më datë 14.10.2023, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë hyrë në mjediset e shkollës së tyre në fshatin Pojan, kanë dëmtuar derën e një klase dhe dyshohet se kanë vjedhur në zyrën e sekretarisë, disa pajisje që shërbenin për procesin mësimor. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për një 17-vjeçare, banuese në fshatin Taç-Qendër, Kolonjë, pasi dyshohet se ka braktisur fëmijën e saj të mitur dhe është larguar nga banesa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.