Sëlltik është klubi më i fundit që i është bashkuar garës për shërbimet e Armando Brojës. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare po rikthehet në vëmendje në këtë merkato vere, ndërsa largimi i tij nga Çelsi shihet si i pashmangshëm.
Skocia mund të jetë një destinacion i mundshëm për 23-vjeçarin, pasi Sëlltik kërkon të përforcojë repartin ofensiv dhe ka vendosur Brojën në listën e alternativave. Klubi i njohur botërisht po ndjek me vëmendje situatën e tij, pas një sezoni të vështirë për shkak të dëmtimeve.
Gjatë sezonit të fundit, Broja ishte i huazuar te Evertoni, por kartoni i tij vijon të jetë në pronësi të Çelsit deri në vitin 2028. Ende nuk dihet nëse lëvizja e radhës do të jetë një tjetër huazim, apo një transferim i përhershëm. E rëndësishme është se sulmuesi tashmë është plotësisht i rikuperuar fizikisht dhe gati për të rifilluar.
Përveç Sëlltikut, interes për sulmuesin shqiptar kanë shfaqur edhe klube të rëndësishme si Milani, Ajaksi, PSV dhe Lajpcigu, duke e bërë këtë verë një moment kyç në karrierën e tij.















