Opozita e drejtuar nga Sali Berisha u konfiktua sërish sot me gardën e republikës, pasi deputetët e përjashtuar pas seancës së kaluar plenare nuk u lanë të futeshin në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Për gati një orë deputetët hipën nga kangjellat dhe nga dritarja e ndërtesës për të bllokuar punimet e komisioneve parlamentare, në shenjë proteste ndaj vendimeve të fundit të Kuvendit, që refuzon të pranojë ngritjen e komisioneve hetimore për disa çështje.
Por, për drejtuesin e “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, kjo situatë është pjesë e ujdisë mes kryeministrit Rama dhe drejtuesit të opozitës, Berisha. Sipas tij, Rama ka nevojë për Berishën, për ta përdorur si gogol që vë në rresht votuesit tradicionalë të PS-së, për ta mundur çdo herë e më thellë në zgjedhje. Ndaj dhe ndërkohë që Berisha duhet të ishte përpara dy gjyqeve, për kompleksin Partizani dhe atij të opinionit publik për korrupsionin e qeverisjes së kaluar, Rama i ka mundësuar të ketë një kauzë: pengimin e opozitës parlamentare për të hetuar çështje të korrupsionit të sotëm, duke mbrojtur veten dhe “armikun” e tij të preferuar.
Reagimi i Qorit
Edi Rama ka nevojë për Sali Berishën. I duhet i lodhur, i izoluar, me paterica, por ende në këmbë. I hyn në punë si gogol që vë në rresht votuesit tradicionalë të PS, për ta mundur çdo herë e më thellë në zgjedhje. Në dukje paradoksale, e vetmja shpresë e Sali Berishës për të mbetur jashtë burgut është Edi Rama. Njëkohësisht, e vetmja siguri që Edi Rama të mos përfundojë vetë nesër në burg është Sali Berisha.
Ndaj këto ditë, kur Sali Berisha duhet të ishte përpara dy gjyqeve-atij zyrtar për kompleksin Partizani dhe atij të opinionit publik për korrupsionin e qeverisjes së vet-Edi Rama po i lëshon një kamerdare, duke i mundësuar të ketë një kauzë: pengimin e opozitës parlamentare për të hetuar çështje të korrupsionit të sotëm. Kështu Edi Rama me një gur vret dy zogj: mbron veten dhe “armikun” e tij të preferuar.
Po ne, deri kur do të biem pre e ujdive mes këtyre dy fytyrave të së njëjtës monedhë të së keqes?
https://www.facebook.com/819492972/posts/pfbid02dGRAEw5fpyncfdQS9g3jJRraJAwnPrDXm6XeXdi8QB419HeTZN3vo5AUXMft2jHvl/?mibextid=WC7FNe