Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi këtë të martë, më 27 janar, konfiskimin e një apartamenti të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Bëhet fjalë për një pasuri të sekuestruar më herët me vendim të Shkallës së Parë, në prill të vitit 2025, e cila ishte apeluar nga Dedja. Por, me dyshimin se kjo pasuri nuk justifikohet me burime të ligjshme, Apeli vendosi që të konfiskohej.
Bashkim Dedja u dënua me 6 muaj burg për fshehje të pasurisë në shkurt të vitit 2024, nga Gjykata e Posaçme e Apelit, dënim që iu konvertua në një vit shërbim prove. Hetimet ndaj Dedjas nisën nga SPAK në maj të vitit 2020, pas dyshimeve se kishte në pronësi pasuri të paluajtshme që nuk i justifikonte me burime të ligjshme.
Më herët, ish-gjyqtari ishte shkarkuar nga vetting-u për mungesë burimesh të ligjshme për të justifikuar pasuritë që kishte krijuar ndër vite.
Ndërkohë, në tetor të vitit 2025, Gjykata e Lartë vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes ndaj ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, me një tjetër trupë gjykuese, në të njëjtën gjykatë.















