Njësia e Antiterrorit në Policinë e Shtetit po forcon kapacitetet e saj operacionale përmes pajisjes me dronë amerikanë të teknologjisë së fundit.
Lajmi u bë i ditur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila thekson se këto mjete të avancuara, të pajisura me imazhe termike, do të rrisin ndjeshëm aftësinë e forcave të rendit për monitorim të vazhdueshëm, ditë dhe natë, në funksion të mbrojtjes së kufijve dhe identifikimit të elementëve të dhunshëm.
“Njësia e Antiterrorit në Policinë e Shtetit po pajiset me dronët më të fundit të prodhimit amerikan. Me teknologjinë e imazheve termike, këta dronë mund të rrisin aftësinë e Policisë së Shtetit në monitorimin e situatave ditë e natë për të mbrojtur kufijtë dhe për të gjurmuar elementët e dhunshëm”, njofton ambasada.
Shqipëria po synon gjithnjë edhe më shumë të forcojë kapacitetin e saj mbrojtës. Më 16 janar, pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama tha se do të nisë prodhimi i anijeve dhe mjeteve të tjera në fushën e industrisë ushtarake. Ai shtoi se vendi ynë është gati të prodhojë gjithçka vetë, nga uniformat ushtarake, tek anijet dhe madje edhe dronë inteligjentë.
“Do jeni shumë të mirëpritur kur të fillojë prodhimi dhe të dalin produktet e para të kësaj kompanie dhe nuk do dalin në 2030-ën. Jemi budallenj ne që për çdo lloj droni do kuturisemi për t’ia blerë të tjerëve? Pse nuk i prodhojmë dot vetë ne?! Çfarë na pengon?! Ne kemi filluar t’i prodhojmë vetë. Çfarë është kjo? Përralla që i tregohet shqiptarëve çdo ditë, që ne ngremë nga të katërt anët fantazmat për të marrë lekë?!”, u shpreh Rama.
Më herët Shqipëria mori tre dronë Bayraktar, të cilët janë të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar. Avionët që drejtohen pa pilotë u vendosën në bazën ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë dhe do të përdoren nga Forcat e Armatosura Shqiptare për misione ushtarake, policore dhe civile.















