Trajneri i Bayern Munchen, Carlo Ancelotti, fajëson gjyqtarin për humbjen e mbrëmshme ndaj Realit të Madridit. Ndeshja e kthimit ndaj Realit të Madridit në çerekfinalet e këtij kompeticioni, u kushtëzua nga gafat e njëpasnjëshme të gjyqtarit hungarez Viktor Kassai, në dëm të gjermanëve. Në konferencën për shtyp, trajneri i kampionëve të Gjermanisë, Carlo Ancelotti nuk mund ta fshihte hidhërimin për një eliminim të pamerituar.
“Duke parë atë çfarë ndodhi në këtë sfidë, mendoj që moviola në fushë është e pashmangshme, sepse është e patolerueshme që një arbitër të ndikojë kaq shumë në rezultatin e një ndeshjeje. Edhe Zidane ishte dakord me mua në përfundim të takimit që kualifikimi u vendos nga gjyqtari. Herën tjetër ose të vendosin televizor në stadium ku gjyqtarët të shohin gafat e tyre ose të gjejnë gjyqtarë më të kualifikuar. Nuk meritonim të largoheshim në këtë mënyrë. Kishim kontrollin e ndeshjes por më pas ndodhi ajo që ndodhi. Një mëkat por pavarësisht gjithçkaje unë jam krenar që drejtoj këtë skuadër dhe këta djem”.