Përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë në Kosovë, shprehen se përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, ka nevojë për deputetë që janë të denjë, me integritet të plotë dhe të profesioneve të fushave të caktuara.
Ata kërkojnë përfshirje sa më të madhe të të rinjve, duke besuar se ata do të sillnin një frymë të re në përbërjen e legjislaturës së re.
Kosova pritet t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 qershor, pas rënies së Qeverisë nga një mocion mosbesimi në Kuvend dhe shpërbërjes së institucionit ligjvënës.
Betim Musliu, Instituti i Kosovës për Drejtësi: Legjislatura e ardhshme ka nevojë për profil të deputetëve që së pari janë të denjë, me integritet të plotë dhe janë profesionistë të fushave të caktuara. Nevoja është që të ketë sa më shumë profesionistë të fushës së sundimit të ligjit dhe të fushës së ekonomisë, dy fusha ku Kosova vazhdon të ketë shumë probleme. Janë shumë vendime e procese që e presin edhe legjislaturën e re. Për të gjitha këto procese, përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës i duhen deputetë profesionistë. Shpresoj shumë që partitë politike në listat e tyre kanë vendosur emra që kanë integritet të plotë dhe janë profesionistë të këtyre fushave, ndërsa se kush do të jetë, besoj që qytetarët do të vetëdijesohen dhe do t’i votojnë ata që kanë vlera, kanë merita dhe jo ata të cilët janë ‘gladiator’ të partive politike që i shohim në sa e sa zgjedhje.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave 100 u ndahen partive nga radhët e shumicës shqiptare, 10 atyre serbe dhe 10 komuniteteve jo serbe.
Ekspert i çështjeve ekonomike, Naim Gashi: Mendimi im është që kategoria kryesore që do të duhej ta rriste prezencën në Parlamentin e Kosovës do të duhej të ishin të rinjtë dhe gratë, për arsye se ne jemi vendi me popullatën më të re në Evropë dhe jemi me përqindje më të ulët të rinjve në proceset vendimmarrëse, duke përfshirë edhe Parlamentin. Po ashtu duhet një përfaqësim adekuat dhe dinjitoz i grave jo vetëm në Kuvend, por edhe në Qeveri dhe në të gjitha institucionet tjera ekzekutive të shtetit. Legjislatura e deritashme në Kosovës, nga shoqëria civile, ishte cilësuar nga më të plogështat deri më tash, kur bëhet fjalë për vendimmarrje, përmbushje të agjendës së punës dhe miratim të ligjeve. Ndryshe, të ardhurat mujore të deputetëve, përfshirë edhe mëditjet, arrijnë apo edhe e tejkalojnë shumën prej 2000 eurosh.