Emri shpesh mund të jetë një shkak i mospajtimeve mes shteteve, veçanërisht nëse bëhet fjalë për emrin “Maqedoni”.
Greqia për një kohë shumë të gjatë ka kundërshtuar përdorimin e emërtimit Republika e Maqedonisë me pretendimin se ai është një nga emrat e mbretërive të lashta të qytetërimit helen.
Kjo është një mosmarrëveshje e gjatë dhe e pazgjidhur që mund të ketë pasoja të mëdha gjeopolitike për Europën.
Shkupi dhe Athina nuk kanë qenë kurrë më pranë mbylljes së mosmarrëveshjes 25 vjeçare për emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Kjo fillon me pranimin e këtij fakti nga vetë kryeministri maqedonas Zoran Zaev.
“Maqedonia nuk ka pretendime territoriale ndaj provincave greke”.
Maqedonia ka propozuar shtimin e një emërtimi cilësues gjeografik për të zgjidhur mosmarrëveshjen e saj me Greqinë. Në mesin e propozimeve janë emrat: Maqedonia Veriore, Maqedonia e Re apo Maqedonia e Epërme.
Por këto propozime kanë zemëruar shumë njerëz. Në Greqinë veriore, mijëra njerëz shprehin kundërshtim ndaj përdorimit të çdo termi që përfshin emërtimin “Maqedonia”. Kjo nuk e befason ekspertin e çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer.
“Ata që janë kundër arritjes së një marrëveshjeje, veprojnë në këtë mënyrë kur palët janë pranë marrëveshjes. Unë mendoj se mund të arrihet një marrëveshje për këtë çështje.”
Maqedonia kohët e fundit riemërtoi aeroportin e saj kryesor dhe një autostradë të madhe, që më parë mbanin emrin Aleksandri i Madh, ish-mbreti i Maqedonisë së lashtë. Greqia e ka mirëpritur këtë veprim. Por jo të gjithë janë të kënaqur me këtë lëshim, përfshirë Presidentin e Diasporës së Bashkuar Maqedonase, Meto Koloski:
“Ekziston një Republikë e Maqedonisë, dhe ekziston një provincë e quajtur Maqedonia. Nëse ata duan ta riemërtojnë provincën e tyre Maqedonia Greke, unë mendoj se askush nuk do ta kundërshtonte këtë.”
Ish diplomati Daniel Serwer ka këtë këshillë për Shkupin dhe Athinën.
“Nëse jeni të sigurtë për identitetin tuaj, atëherë askush nuk mund t’ua marrë atë”.
Ekspertët thonë se gjesti i vullnetit të mirë nga vendi që tani njihet zyrtarisht si Republika e Maqedonisë, është një hap pozitiv drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes së saj të gjatë me Greqinë.
Kjo gjithashtu mund të përmirësojë perspektivën e vendit për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.