Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Ai qëndroi vetëm pak momente brenda ambienteve të SPAK, ndërsa pas daljes mbajti një komunikim të shkurtër me mbështetësit dhe mediat e pranishme.
Berisha deklaroi se, ashtu si në paraqitjet e mëparshme, edhe këtë herë kishte lënë një shënim në SPAK.
“Amnistia elektorale është një krim i shëmtuar, antikushtetues, i Altin Dumanit, shërbëtorit të Edi Ramës, i cili kërkon të shndërrojë Kushtetutën në ‘Kushtetutën e Dumanit’. Kurrë nuk do të ketë firmën time aty”, u shpreh Berisha.
Ai lëshoi gjithashtu akuza të forta ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke e cilësuar si “një delinkuente të pafytyrë, imorale dhe pa karakter”. Sipas tij, ajo ka qenë e dënuar në një vend fqinj dhe “është përdorur si skllave nga Rama”.
“Irena me pesë mbiemra, e përfolur për ryshfete gjysmë-milionëshe, jo në një, por në disa raste, rezulton se në vitin 2005 është dënuar nga Kolegji Penal i Janinës me burg dhe gjobë. Kjo ‘monstër’, në vend që të vuante dënimin, është ngritur në kryetare të Gjykatës Speciale nga Edi Rama dhe Taulant Balla, dhe është keqpërdorur në mënyrë ekstreme nga Altin Dumani,” deklaroi Berisha.