Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit sipas raportimeve, do të takohen në shtator në Paris në prani të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe përfaqësuesve të SHBA-së dhe Rusisë.
Ambasadorit Bocan-Kharchenko ky fakt i është dukur si një trillim.
“Unë nuk di për një informacion të tillë, më duket një trillim, por Rusia tashmë është e përfshirë në proces si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe dihet se çdo zgjidhje për problemin e Kosovës është e mundur vetëm përmes Këshillit të Sigurimit dhe nën kujdesin e tij”,- tha Kharchenko, shkruan Gazeta Express.
Bocan risolli edhe njëherë qëndrimin e Moskës, duke kujtuar se si presidenti rus, Vladimir Putin dhe ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov kanë thënë në mënyrë të përsëritur se Rusia mund ta mbështesë vetëm një zgjidhje që plotëson interesat e Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.
“Sa i përket dialogut, unë madje nuk kam dëgjuar që një takim është caktuar tashmë brenda dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”,- tha Bocan-Kharchenko, duke theksuar se Rusia beson se nuk ka asnjë alternativë ndaj dialogut.
Ambasadori rus shprehet se institucionet në Prishtinë duhet të përmbushin atë që është rënë dakord në Bruksel.
“Sigurisht, dialogu mund të funksionojë vetëm me presionin e nevojshëm mbi Prishtinën, dhe jo vetëm mbi Beogradin, të cilit ata po i kërkojnë ta njoh pavarësinë e Kosovës, e cila nuk është as e pranueshme për Beogradin, dhe as nuk mund të jetë një zgjidhje për Kosovën”, – vijoi Bocan-Kharchenko.
I pyetur për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në dialog, ambasadori rus tha se nuk kishte dëgjuar që Shtetet e Bashkuara kishin qëllime serioze për t’u përfshirë tashmë në këtë dialog.
“Sa i përket Rusisë, ne jemi gjithmonë të gatshëm të mbështesim zgjidhjen dhe nëse Beogradi ka interes ta përfshijë Rusinë, ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë. Në çdo rast, Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe pa marrë pjesë në këtë dialog, ka shumë mundësi të jetë e pranishme dhe të ketë një ndikim në çështjen e Kosovës dhe rajonit, si dhe të gjitha çështjet tjera ndërkombëtare”, u shpreh së fundmi Bocan-Kharchenko.