Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, ka pritur këtë të premte në një takim zyrtar Ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran.
Gjatë këtij takimi, kryetarja Papajorgji e falënderoi ambasadorin Tarran për bashkëpunimin shumë të frytshëm dhe të vazhdueshëm ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, duke e vlerësuar këtë të fundit si një partner ndërkombëtar mjaft të rëndësishëm në mbështetje të veprimtarisë dhe strategjisë institucionale të Gjykatës.
Sipas një njoftimi nga Gjykata Kushtetuese, kryetarja Papajorgji theksoi kontributin e çmuar të OSBE-së në forcimin e kapaciteteve, si dhe shprehu vullnetin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në drejtim të projekteve konkrete dhe iniciativave praktike me interes të përbashkët.
Nga ana e tij, ambasadori Tarran e përgëzoi Papajorgji për marrjen e kësaj detyre si dhe shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese, si një prej institucioneve më të rëndësishme shtetërore.
Ai theksoi rolin thelbësor të Gjykatës Kushtetuese në garantimin e parimeve themelore të shtetit të së drejtës, në mbrojtjen e Kushtetutës dhe të të drejtave themelore të njeriut, si dhe në përparimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ambasadori Tarran riafirmoi angazhimin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për të vijuar mbështetjen ndaj Gjykatës Kushtetuese, përmes asistencës teknike dhe projekteve të përbashkëta, duke shprehur besim të plotë në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.















