Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për avokatin Bardhi Koçi, i akuzuar nga SPAK për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Gjatë seancës gjyqësore, Koçi ka mohuar akuzat, duke e cilësuar si të paligjshëm kontrollin e banesës së tij, ku nuk u gjetën prova kompromentuese.
Duhet të provoni faktin se cili gjyqtar apo prokuror mund të jetë korruptuar me 1000 euro. Kush korruptohet me kaq para?”, mësohet të ketë thënë Koçi para gjykatës.
SPAK pretendon se avokati ka kërkuar dhe marrë 1000 euro nga e hetuara Pranvera Meshi për të ndikuar në një çështje gjyqësore, por nga përgjimet dhe vëzhgimet nuk provohet që ai të ketë komunikuar me funksionarë të drejtësisë për të ndërhyrë në vendimmarrje.
Në përfundim të seancës, avokati Koçi nuk ka preferuar të komentojë vendimin. Ndërkohë, hetimet ndaj tij vijojnë, ndërsa SPAK e konsideron kërkesën për para si element të mjaftueshëm për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.