Këtë të enjte forcat e RENEA-s kanë “zbarkuar” në Shkodër me urdhër të SPAK.
Me urdhër të prokurores Elida Kackini, kontrollet janë kryer në disa banesa të eksponentëve të krimit të organizuar që veprojnë në këtë qytet.
Po ashtu mësohet se kontroll është ushtruar edhe në banesën e Izmir Sakicës, i cili është shpallur në kërkim pas atentatit të Dobraçit, ku mbetën të vrarë katër persona, dy të pafajshëm dhe shënjestrat Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Atentati në fjalë ende mbetet i pazbardhur, ndërsa i ka kaluar për hetim SPAK.
Sipas informacioneve paraprake, kontrolle janë ushtruar edhe në banesa të fisit Bajraj dhe Bilali.
Operacioni me urdhër të SPAK lidhen jo vetëm me hetimet për masakrën e Dobraçit ku humbën jetën 4 persona, por edhe në lidhje me një çështje të re të hapur së fundmi.
ATENTATI
Në masakrën e Shkodrës, më 30 Tetor, humbën jetën 23-vjeçari Hamza Lici, 32-vjeçari Arlind Bushati, dhe çifti i pafajshëm i bashkëshortëve, Flutura e Bashkim Basha.
Ngjarja rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash drejt mjetit ku udhëtonin dy viktimat 23-vjeçari Lici (shofer) dhe 32-vjeçari Arlind Bushati (pasagjer).
Pasi mjeti ku udhëtonin dy të rinjtë u qëllua me breshëri plumbash nga atentatorët, devijoi nga rruga dhe u përplas me motorin ku udhëtonin çifti Basha.