Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka nënshkruar një kontratë të re huapërdorjeje me organizatën “Të Ndryshëm & Të Barabartë”, duke i vënë në dispozicion një objekt të konfiskuar për shërbime sociale.
Objekti do të përdoret për rehabilitimin dhe riintegrimin e viktimave të trafikimit, në përputhje me vendimin e Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar të datës 06.11.2025. Ky projekt synon të kthejë pasuritë e sekuestruara nga aktiviteti kriminal në shërbim të komunitetit.
Nisma vjen në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimeve të AAPSK me organizata vendase e ndërkombëtare, me qëllim rritjen e transparencës, forcimin e ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara dhe mbështetjen e grupeve vulnerabël.
Sipas AAPSK, objekti do të ketë destinacion ekskluzivisht rehabilitimin dhe riintegrimin, i cili nuk mund të ndryshohet pa miratim. Ky projekt pritet të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve për viktimat e trafikimit, rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes sociale dhe forcimin e politikave kundër krimit të organizuar.
Agjencia, e drejtuar nga Risena Xhaja, e konsideron këtë model si në përputhje me praktikat më të mira europiane, duke kthyer asetet e krimit të organizuar në instrumente zhvillimi dhe mbështetjeje për komunitetin.















