Gjykata e Apeli ka vendosur masën e “arrestit në burg” për shtetasin 21-vjeçar, Jorgaq Thengjilli i cili aksidentoi çiftin pranë kryeministrisë pak ditë më parë.
“Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë: Më datë 05.11.2023, rreth orës 14:00 në rrugën “Ismail Qemali”, shtetasi me iniciale J. Th duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin e tij, dyshohet se për shkak të shpejtësisë mbi normat e lejuara, ka aksidentuar shtetasen me iniciale D.K dhe shtetasin me iniciale K. D.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest ne burg”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale J.Th, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, të parashikuar nga neni 290/2 të Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2598 Akti, datë 08.11.2023, ka vendosur:
Vleftesimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim J. Th.
2.Caktimin si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim J.Th, “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale J. Th, i cili kërkoi ndryshimin pjesërisht të vendimit caktimin e një mase sigurimi më të butë si atë të “Arrestit ne shtëpi”, “Detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ose “Ndalimin e daljes jashtë shteti”.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 21.11.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Irida Kacerja, vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 2598 Akti, datë 08.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, thuhet në njoftim.