Policia e Shtetit i ka bërë thirrje tifozëve të kombëtares të “festojnë në mënyrë të kulturuar”, ndërsa Shqipëria mbyll sot me kualifikimin në “Euro 2024” ndeshjen e fundit të kësaj faze.
Policia thotë se ka marrë të gjitha masat për të garantuar një atmosferë të qetë, teksa i bën thirrje tifozëve të mos fusin sende të ndaluara në stadium. Po ashtu, një thirrje shkon edhe për ata që kanë planifikuar të festojnë në sheshe apo lokale.
Mesazhi i Policisë së Shtetit:
Mbrëmja e sotme ku do të luhet ndeshja “Shqipëri – Ishujt Faroe”, në stadiumin “Air Albania”, është padyshim një mbrëmje festive për të gjithë shqiptarët.
Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktivitetit sportiv, me qëllim që atmosfera festive e kësaj mbrëmjeje të mos venitet nga ndonjë incident.
Apelojmë për tifozët, sportdashësit dhe të gjithë qytetarët që të zbatojnë udhëzimet e Policisë, për bllokimim e rrugëve dhe rregullat për hyrjen në stadium, duke mos tentuar që të futin në stadium asnjë send të kundërligjshëm, pasi kontrolli do të jetë i rreptë, njësoj siç është vepruar në ndeshjet e tjera ndërkombëtare.
Gjithashtu, Policia ka marrë të gjitha masat edhe për festimet që do të zhvillohen pas ndeshjes, në sheshe, lokale dhe në rrugët e vendit, prandaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, që të festojnë në mënyrë të kulturuar, që ta vulosim këtë fitore të kombëtares sonë, me vulën e imazhit më pozitiv të vendit.