Gazment Bardhi ka njoftuar se do të zhvillojë mbledhje me grupin Parlamentar të PD-së, pranë Kryesisë së Kuvendit.
Pas mbledhjes, Bardhi do të dalë në një prononcim për media së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Sot, në ora 13:00, në Kryesinë e Kuvendit zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Pas mbledhjes kryetari i PD, Sali Berisha dhe kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi do të japin një prononcim për mediat.”, thuhet në njoftim.
Takimi vjen vetëm një ditë pasi kryetari i PD-së Lulzim Basha njoftoi se ka vendosur përjashtimin nga partia të Gazment Bardhit me arsyetimin se ka bashkëpunuar me individë të sanksionuar si non grata, kundër Partisë Demokratike.
“Vendimi i Kryesisë së PD erdhi pas shkeljeve të njëpasnjëshme të kryera nga ish-sekretari i Përgjithshëm ndaj vendimeve të organeve kolegjale të PD, shumë prej të cilave janë votuar dhe janë nënshkruar prej tij si dhe për veprime në kundërshtim me interesat politike dhe elektorale të PD, për mosnjohjen e institucioneve të dala nga vota e demokratëve. Po ashtu dhe për ndjekjen e një agjende personale, përmes të cilës kërkon të zhvendosë PD nga orientimi i përcaktuar nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar, në raport me aleatët strategjikë dhe bashkëpunimin me individët e sanksionuar si non grata, që kanë ndërmarrë një aksion dy vjeçar kundër Partisë Demokratike.”, thuhej në argumentet e parashtruara nga Kryesia e PD-së.