Ditën e sotme kanë dalë para gjykatës shqiptarët e arrestuar në Greqi pasi u kapën me një ngarkesë prej 585 kilogramësh kokainë.
Ata janë lënë në “arrest me burg”.
Sipas medieve greke, një 50-vjeçar shqiptar, mes të arrestuarve ka pasur rolin e drejtuesit në rrjetin e dyshuar të trafikut të kokainës.
Të arrestuarit, përveç 50 vjeçarit, akuzohen për formimin dhe anëtarësim në organizatë kriminale, trafik droge, okupim bashkërisht dhe individualisht (në formën e importit, ruajtjes, posedimit dhe transportit).
Katër shqiptarët e tjerë kanë pohuar se ishin thjesht “bartës” të drogës dhe ngarkesën do t’ia dorëzonin dikujt tjetër, pasi ata vetë po zbatonin urdhrat.
Informacioni për ngarkesën e paligjshme, më e madhja e kapur në Selanik dhe një nga më të mëdhatë në mbarë vendin, mbërriti te autoritetet greke përmes zyrës së Administratës Amerikane të Zbatimit të Drogës (DEA) në Athinë.
Zyrtarisht nuk dihet se si dhe kur ka mbërritur droga, por konsiderohet e sigurt se ka ardhur nga Amerika Latine dhe është transportuar me rrugë detare në portin e Selanikut.
Pjesa më e madhe synohej të eksportohej në shtetin fqinj, prej nga do të trafikohej në vendet e tjera të Evropës dhe një pjesë e vogël do të trafikohej në Greqi.
Policia po ndiqte lëvizjet e dyshimta të personave të përfshirë dhe pas një operacioni arrestuan pesë të akuzuarit në zonat e Agia Triadës dhe Epanomit. Disa nga 500 pakot kishin mbi to simbolin nazist, që sipas zyrtarëve të EL.AS. duket se lidhet me praktikën e ndjekur nga kartelet e Amerikës Latine të përdorimit të logove për të identifikuar sasitë e kokainës që prodhojnë në laboratorët e tyre.