Zjarri i cili vijonë të jetë aktiv prej 8 ditësh në Pishporo të Fierit ka shkrumbuar qindra hektarë sipërfaqe pishash. Burime për mediat bëjnë me dije se për më shumë se një javë zjarrfikësit janë duke luftuar me flakët.
Sakaq mësohet se mëngjesin e sotëm në vendin e ngjarjes ka mbërritur avioni ujë hedhës nga Greqia për të bërë rikonicionin e zonës dhe për të rifilluar ndërhyrjen nga ajri në vatrën e zjarrit në masivin pyjor Pishporo-Darzezë .
Kujtojmë se ditën e djeshme ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, shkoi në terren për të monitoruar nga afër situatën. Ai e cilësoi situatën kritike dhe theksoi se forcat zjarrfikëse do të vijojnë të punojnë deri në neutralizimin e flakëve.
“Ne do të jemi me të gjitha forcat e mjetet tona, edhe me shtesa nëse duhet deri në përfundim. Kemi kërkuar të na mbështesin partnerët. Ndërhyrja nga ajri nuk është e vonuar, e kemi vlerësuar kur duhej. Duhet të heqim mentalitetin që helikopteri shuan zjarret. Por ka zjarre si të kësaj natyre ku është më e rëndësishme të ndërhyhet nga terreni. Në krye të punës kemi qenë, e kërkuam kur pamë se ishte i nevojshëm.
Situata është shumë serioze shumë kritike, është një ndër situatat më kritike që kam parë. Ne do jemi këtu dhe do të mbështesim me forca, mjete , dhe logjistike deri ne eliminimin e plote te zjarrit i cili ka përshkuar një sipërfaqe te madhe në këtë masiv pyjor”, tha Peleshi.