Gazetari Sokol Bregu, i ftuar në studion e emisionit “Open” ka zbuluar detaje lidhur me planin e Laert Haxhiut dhe grupit të tij për vrasjen e një prokuroreje të SPAK.
Ai u shpreh se Laert Haxhiu i ka mbajtur premtimet e tij më parë dhe kësisoj kërcënimi për prokurorët e SPAK sipas tij është real.
Bregu shtoi se Haxhiu është vrasësi më emocional dhe më i rrezikshëm në vend pasi nuk është një vrasës me pagesë, por “vrasës hakmarrës”.
“Droga mund të ndikojë dhe nën konsumin e saj mund të ketë edhe pranim të fajit. Laert Haxhiu i ka mbajtur premtimet dhe i shoh prokurorët të rrezikura. Ai është ndërtuar ndryshe për të qenë vrasës, është ndërtuar nga dhuna dehe hakmarrja. Për mua ky është vrasësi më emocional dhe më i rrezikshëm në vend.
Është krijuar nga lënia pas dore nga shteti e Lushnjes. Laert Haxhiu krimet e tij i bën për hakmarrje dhe i bën në formë të tillë. Nëse ka premtuar në një tavolinë se do kryejë diçka ka një arsye. Ata në burg të përjetshëm janë miqtë e tij të fëmijërisë dhe ai do hakmerret për ata. Ata kanë shkuar në burg vetëm për të ndihmuar atë për hakmarrjen.
Dy miqtë e tij Orges Bilbili dhe Anterio Karoshi e kanë ndihmuar atë në të gjitha vrasjet që ka kryer. Çdo qytet ka historitë e veta të ndryshme. Ai nuk fal, është vrasës hakmarrës, jo me pagesë”, tha ai ndër të tjera.